Rama në Kamëz: 20 vjet, ende pa legalizime

17/04/2011 19:35

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi takimet e tij elektorale në Kamëz ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Rakip Sula.

Në fjalën e mbajtur para simpatizantëve, Rama parashtroi problemin e legalizimit të ndërtesave. E mbajtur si një bastion i së djathtës, Rama tha se Kamza është përdorur për 20 vite me radhë për fushatë elektorale dhe se edhe sot, pas 20 vjetësh, vazhdon të ketë ndërtesa të palegalizuara.

“Kamza u ndërtua me mund e sakrifica nga qytetarët e ardhur nga të gjitha rrethet.
Pas 20 vitesh, sot Kamza vazhdon t’i ketë ndërtesat e palegalizuara. Saliu shfrytëzoi besimin tuaj. Berisha e përdor Kamzën vetëm për fushatë elektorale. Kamza është shndërruar Amerika e Vogël e shqiptarëve”, tha Rama.

Më tej Rama foli për papunësinë, që sipas tij ka prekur gjithë shqiptarët, demokratë e socialistë. 8 maji, tha Rama, është dita kur do të jepet llogari. Zoti Rama ftoi qytetarët e Kamzës të votojnë kandidatin e opozitës, Rakip Sula, si alternativa e premtimeve të mbajtura.

Top Channel