UT, këtë vit 6 mijë studentë më shumë

16/04/2011 14:25

Viti i ri akademik do të ulë në auditorët e Universitetit të Tiranës afro 6 mijë studentë të rinj, të cilët do të ndjekin arsimin me kohë të plotë.

Sipas Rektoratit të Universitetit të Tiranës veç këtyre 6 mijë studentëve të rinj do t’i shtohen fakulteteve të UT-së mijëra studentë të tjerë të do të vendosin të ndjekin arsimin e lartë me kohë të pjesshme apo specializimeve pasuniversitare, si atë të doktoraturave, bën të ditur “Shqip”.

Kjo ka qenë deklarata e djeshme e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili tha se në top-listën e fakulteteve me numër më të lartë kuotash të reja është Ekonomiku.

“Në sistemin me kohë të plotë, Universiteti i Tiranës ofron 6 mijë kandidatë të rinj. Është sistemi part-time, ku vitin e kaluar kishim rreth 2500 kandidatë. Bashkë me kandidatët për doktoraturë, kemi 12 500 studentë të rinj në cikle të ndryshme të studimit”, – tha rektori i Universitetit të Tiranës.

Ndër të tjera, Kule përmendi edhe tarifat e shkollimit.

Ai sqaroi se ato janë më të ulëtat në të gjithë Europën, por nëse do të ketë rritje këtë vit, vendimin do ta marrë Këshilli i Ministrave. E vetmja gjë që apelon sërish ai, është mirëmenaxhimi i tyre.

“Universitetet kanë nevojë që nëse nuk kompensohet me rritjen e tarifave të shkollimit, pjesa tjetër duhet të kompensohet me financim buxhetor, që brenda universiteteve, rialokimi të bëhet sa më optimal dhe të shkojë sipas nevojave dhe kritereve që kanë universitetet”, – shtoi Kule.

Për sa i përket stafit pedagogjik, të gjitha fakultetet, sipas Rektoratit, kanë nevojë për pedagogë. Aktualisht, Universitetit të Tiranës i duhen rreth 120 pedagogë të rinj.

Në muajin shtator të vitit të kaluar u diskutua gjerësisht për mungesë pedagogësh në Universitetin e Tiranës dhe për domosdoshmërinë që kanë këto institucione për shtimin e tyre në numër. Zyrtarisht u sqarua se më shumë pedagogë nevojiten në Fakultetin e Shkencave Natyrore e Sociale, ndërsa shtesa janë kërkuar edhe nga Fakulteti i Infermierisë. Sipas Universitetit të Tiranës, nga analiza që i është bërë raportit pedagog/student, të dhënat për vitin e fundit referojnë një raport mesatar 1 pedagog për 30 studentë. Ajo që duan departamentet është që të ruajnë dhe të arrijnë një raport të tillë, duke shkuar në 1 pedagog për 20 studentë.

Çdo vit në universitetet tona pranohen studentë nga Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Bujanovcit. Degët e tyre më të preferuara janë gazetaria dhe mjekësia. Vendimin për kuotat e studentëve nga trojet miratohen nga Këshilli i Ministrave.

Top Channel