Misioni vëzhgues në Shqipëri

16/04/2011 19:40

Ka kaluar më shumë se një muaj dhe Parlamenti Europian ende nuk ka përcaktuar përbërjen e ekipit vëzhgues që do të vijë në Shqipëri për zgjedhjet lokale.

Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të PE për Ballkanin: Do të jetë një delegacion ad-hoc i Parlamentit Europian. Ky ishte vendimi i Konferencës së Kryetarëve, që ne të dërgojmë shtatë anëtarë për delegacionin ad-hoc të BE-së. Kjo do të thotë se nuk është një delegacion zyrtar, por ad-hoc, pasi BE dhe Parlamenti zakonisht nuk dërgojnë misione vëzhguese për zgjedhje Lokale. Për shkak të rëndësisë që këto zgjedhje kanë për Shqipërinë, nisur nga situata e brendshme dhe e ardhmja e vendit, u gjykua se prezenca jonë aty do të përfaqesohej nga një mision i posacëm “për këtë rast” nga Parlamenti Europian.

TCH: A e keni zgjedhur përbërjen se kush do të shkojë atje?

Kukan: Jo. Grupet politike duhet të informojnë sekretariatin për këtë. Nuk e di se deri kur është afati përfundimtar për këtë. Jemi ende në pritje të përgjigjeve për emërimet nga grupet politike.

TCH: Po ju vetë, a do të shkoni?

Kukan:
Deri tani… Nuk e di, nuk e di ende.

Victor Bostinaru, S&D, nënkryetar i Delegacionit të PE për Ballkanin: Ka shumë mundësi që unë të vij atje si pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian.

Doris Pack, eurodeputete e PPE-së: Deri tani askush nuk ka aplikuar për këtë nga grupimi yne, edhe pse zoti Kukan ka bërë kërkesë për të dërguar këtë mision. Por nuk e di, ndoshta do të vijë ndonjë, por gjithësesi unë jo. Nuk dua të bëhem më qesharake. Të gjithë e dinë se deri më sot i kam vëzhguar të gjitha zgjedhjet atje, e për cfarë shërbeu?

Në fillim flitej se delegacioni vëzhgues për këtë rast do të përbëhej nga 4 eurodeputetë, por aktualisht është rënë dakort që kjo prani të zgjerohet në 7 anëtarë, të cilët do të përfaqësojnë sërish, në mënyrë proporcionale, shumicën e djathtë dhe pakicën e majtë të Parlamentit Europian.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel