Veliaj: Zgjedhjet lokale, betejë politike

14/04/2011 21:55

Koordinatori i PS, Erjon Veliaj ka deklaruar se zgjedhjet lokale të 8 majit kanë karakter politik, edhe pse kanë të bëjnë me qeverisjen vendore.

“Zgjedhjet janë politike, qytetarët i vënë notën qeverisjes, qoftë asaj qendrore, qoftë asaj vendore. Qofshin hallet e qytetit, lagjes, vlerave dhe anomalive të shoqërisë”, ka deklaruar Veliaj.

Sipas tij, deklaratat e demokratëve se opozita po deformon thelbin e fushatës elektorale është një farsë, pasi për ata më shumë se kurrë kjo është një betejë politike.

“Nëse do të isha këshilltar mediatik i PD, do të thosha se është në interesin e tyre që ato të ishin politike. Të na thonë një qytet ku shqiptarët po vrapojnë për ta votuar. Por kemi një zhvendosje të qytetarëve nga qytetet ku menaxhohen keq tek ata që menaxhohen mirë nga PS”, është shprehur Veliaj.

Sipas tij, mazhoranca qeverisëse me fushatën e saj po përpiqet t’u mbyllë gojën qytetarëve, të cilët sipas tij janë të indinjuar nga ngjarjet për të cilat ajo është përgjegjëse.

“Ka qytetarë që kanë dashur të thonë dicka, por që s’kanë pasur mundësi. Mund të kenë dashur të thonë dicka për korrupsionin me rrugën Durrës-Kukës, me shitjen e detit, me vrasjet e 21 janarit, me bllokun e zëvendëskryeministrit. Nëse ata nuk lejohen të flasin, kjo nuk është e drejtë”, ka nënvizuar Veliaj.

“Ajo që po shohim është që qeveria po mundohet të investojë në fushatën e harresës. Qytetarëve po u thuhet “harrojeni Zogun e Zi, se ne do ndërtojmë mbikalime të tjera”, “harrojeni 21 janarin, sepse tani jemi bërë të mirë dhe nuk do vrasim më””, ka vijuar ai.

Më tej Veliaj ka ironizuar me sloganin e mazhorancës “Ju jeni të parët”, të bërë nga kandidati demokrat Lulzim Basha për fushatën e Tiranës.

“Ishin të parët shqiptarët kur i jepeshin tendera Fazllicit? Ishin të parët shqiptarët, apo pushtetarët kur u fut nafta “vergine”? Ishin të parët qytetarët, apo italianët kur doli cështja e plehrave?”, ka shtuar Veliaj.

Top Channel