Tusha: Ja prioritetet për zhvillimin e Lezhës

13/04/2011 22:00

Kandidati i LSI-së për bashkinë e Lezhës, që qeveris qytetin prej vitit 2007, Viktor Tushaj ka vlerësuar klimën e krijuar në qytet në vitet e fundit.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Tusha ka paraqitur prioritetet e qeverisjes vendore, duke e vënë theksin fillimisht tek turizmi.

“Lezha është një qytet me resurse të jashtëzakonshme, me një klimë që të jep mundësi të zhvillosh turizmin. Turizmi është një ndër prioritetet tona për ta shfrytëzuar këtë si një shtyllë të fuqishme për rimëkëmbjen ekonomike të qytetarëve”, ka deklaruar Tusha.

Sipas tij, prioriteti i dytë i pushtetit vendor është urbanizimi i kontrolluar i qytetit, në mënyrë që ai t’i shërbejë edhe brezave të ardhshëm.

“Një ndër sfidat tona ka qenë urbanizimi i shpejtë dhe i kontrolluar i qytetit, përmes një plani rregullues, me synimin që të ndërtojmë qytetin e së ardhmes me atë infrastrukturë që do t’i shërbejë komunitetit. Plani rregullues ka bërë të mundur ndërprerjen e masakrës urbane, pasi ka hequr kurajën e ndërtimeve pa leje”, ka nënvizuar Tusha.

Ai ka shtuar më tej se prioriteti i tretë do të jetë rritja e punësimit të qytetarëve, që sipas tij do të realizohet përmes mbështetjes së biznesit.

“Prioritet tjetër është rritja e nivelit ekonomik, që normalisht bëhet duke inkurajuar biznesin përmes klimës së duhur që i nevojitet për t’u frocuar dhe përmes rritjes së numrit të bizneseve që rrit punësimin”, ka pohuar Tusha.

Më tej ai ka akuzuar parardhësin e tij në bashki Gjokë Jaku, se “ka bërë batërdinë me ndërtimet e pallateve 10-katëshe në kundërshtim me ligjin”.

Top Channel