Topi, sot në samitin e 14-të euro-aziatik

13/04/2011 10:15

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar, do të zhvillojë në datat 13 dhe 15 prill 2011 një vizitë zyrtare në Turqi, ku do të marrë pjesë në punimet e samitit të 14-të euro-aziatik, që do të zhvillohet në Stamboll.

Sipas faqes së Presidencës, në ditën e parë të vizitës, kryetari i shtetit do të ndjekë punimet e samitit, tema kryesore e të cilit përqendrohen në “Euro-Azia, 20 vjet më vonë – 1991-2011” dhe ku do të diskutohet edhe për nëntema si “Bashkëpunimi rajonal dhe çështjet energjitike”; “Energjia bërthamore”; “Projektimet e ardhshme”; “Lufta kundër terrorizmit global”.

Në ditën e dytë kreu i shtetit do të mbajë një fjalim në seancën mbi: “Njeriun e mprehtë dhe bashkëkohor. Fitimet dhe humbjet e njëzet viteve të fundit” ku do të flasë për “Arritjet e Shqipërisë pas formimit të shtetit të pavarur”.

Gjatë punimeve të këtij të Samitit të rëndësishëm ekonomiko-politik, Presidenti Topi pritet të takohet me homologë të tjerë nga rajoni si me Presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov dhe atë të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, me personalitete të ndryshme pjesëmarrëse dhe në axhendën e Kryetarit të Shtetit shqiptar parashikohet gjithashtu edhe një vizitë e veçantë në Bashkinë e “Bajram Pashasë”.

Top Channel