Konflikti, fletëthirrje Pekës dhe Premçit

13/04/2011 11:15

Konflikti midis zv/ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, dhe drejtorit të FLO-së, Shemsi Premçi, zhvendoset në Prokurorinë e Tiranës.

Kallëzimet e paprecedenta të dy zyrtarëve kundër njëri-tjetrit, sipas “Shqip”, janë verifikuar nga titullari i akuzës së kryeqytetit, Sokol Malaj, dhe pas këqyrjes paraprake ato janë regjistruar si një dosje e vetme.

“Në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur shtetasi Shemsi Premçi, i cili pretendon se është fyer dhe ka marrë urdhër të jashtëligjshëm nga zv/ministri Avenir Peka. Ky i fundit ka depozituar në sekretarinë e prokurorisë një kallëzim ndaj Premçit për fyerje dhe moszbatim të urdhrit”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat saktësojnë se dosja penale ka kaluar në duart e zv.prokurorit Elio Mazreku për hetime të mëtejshme.

Burime nga akuza thanë se veprimi i parë i hetuesve të çështjes ka të bëjë me verifikimin e kallëzimeve me legjislacionin penal, nëse faktet e paraqitura nga dy “protagonistët” përputhen në Kodin Penal.

Pas këtij veprimi, hetuesit e çështjes do të thërrasin për dëshmi zv.ministrin Avenir Peka dhe drejtorin e FLO-së, Shemsi Premçi.

Megjithatë, akuza saktëson se nuk përjashtohet as ballafaqimi i dy zyrtarëve që duhet të sigurojnë rendin publik në Shqipëri.

“Hetimet janë në fazën fillestare. Janë këqyrur kallëzimet dhe faktet do të krahasohen me ligjin. Pas kësaj do të pyesim Pekën dhe Premçin, pasi kallëzimet penale flasin për të njëjtën bisedë dhe mesazhe telefonike. Megjithatë, secila palë pretendon se është fyer dhe ka marrë dhe dhënë urdhër të paligjshëm”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat saktësojnë se një tjetër veprim i hetuesve është edhe marrja e tabulateve telefonike të Pekës dhe Premçit.

Gjithashtu, u është kërkuar që sms-të që kanë shkëmbyer t’u serviren hetuesve, pasi nga këqyrja e tyre do të vendoset nëse ka ose jo vepër penale.

Përplasja midis zv.ministrit dhe drejtuesit të parë në Policinë e Shtetit filloi në momentin e një incidenti në Bathore mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Premçi ka dalë kundër ministrit të Brendshëm në detyrë. Ai ka deklaruar se Peka i ka kërkuar që të zbatojë një urdhër të jashtëligjshëm, sipas të cilit “të shtypë” kokat e atyre që mbështesin Partinë Socialiste.

Sipas kallëzimit penal të Premçit në prokurori, gjithçka ka filluar në orën 19:15 të së dielës, kur përplasja në lagjen numër 6 të Bathores kishte arritur kulmin.

Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, i ka kërkuar atij që të nxjerrë në detyrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në këto momente, Premçi i ka thënë Pekës se FNSH-ja nuk është e autorizuar të marrë pjesë në aktivitetet politike gjatë fushatës elektorale.

Por, Peka ka shprehur se FNSH-ja duhet “t’u shtypë kokën” të gjithë mbështetësve të Partisë Socialiste, sipas të cilit kishin bllokuar rrugën kryesore në lagjen nr. 6 të Bathores.

Premçi ka deklaruar se ky urdhër ishte i jashtëligjshëm, pasi forcat speciale nuk marrin pjesë gjatë fushatës elektorale, për këtë arsye nuk ka pranuar zbatimin e urdhrit, duke e quajtur atë të jashtëligjshëm dhe e ka kallëzuar atë penalisht.

Në këto momente ka ardhur një fyerje e rëndë nga zëvendësministri Peka, për të cilën Premçi ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës.

Top Channel