Jaku: Në 4 vjet Lezha është keqqeverisur

13/04/2011 22:10

Kandidati i PS për bashkinë e Lezhës, Gjokë Jaku ka deklaruar se qyteti në vitet e fundit ka pësuar një ndalim të zhvillimit të tij.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Jaku ka akuzuar pasardhësin e tij Viktor Tusha për dëmtim të qytetit përmes një plani urbanistik të pastudiuar.

“Për fat të keq Lezha në vitin 2011 ka ndaluar zhvillimin. Që kur unë lash bashkinë, turizmi, urbanizimi dhe ekonomia kanë ndalur zhvillimin. U tha se është bërë e mundur studimi urbanistik, por relacioni i dokumentuar tregon se studimi i miratuar ka vetëm një pikë dhe 4 rreshta. Kjo është një absurditet, pasi studimi urbanistik ka disa rrugë dhe hallka që duhen respektuar deri në miratimin e tij”, ka deklaruar Jaku.

Ai ka theksuar se gjatë kohës që ai ishte në krye të bashkisë u bë për herë të parë e mundur clirimi i varrit të Skëndërbeut nga tregtarët informalë.

Por për fat të keq, ka nënvizuar Jaku, kjo politikë për ruajtjen e trashëgimisë historike nuk ka vazhduar nga parardhësi i tij.

“Në këtë linjë për fat të keq nuk është përfaqësuesi i sotëm i bashkisë, që në bashkëpunim me kryetarin e vet me bllok në dorë, po përpiqet të hedhë poshtë projektet me një masakër”, ka pohuar Jaku.

Sa për rritjen ekonomike, ai ka shtuar se, në këto katër vjet niveli i papunësisë në Lezhë është rritur ndjeshëm.

Top Channel