Berisha në Lushnje, bën apel për qetësi

13/04/2011 11:45

Kryeministri Sali Berisha ka vijuar fushatën në qytetin e Lushnjes ku ka shprehur mbështetjen e tij për Arben Sanxhakun. Për herë të parë në këtë fushatë kreu i qeverisë ka bërë apel për qetësi dhe një fushatë pa tensione.

Duke folur për kreun e PS-së, Edi Rama, lideri i PD-së tha se qytetarët kanë nevojë për projekte konkrete dhe alternativa për të zgjedhur.

“Jam këtu për t’u bërë thirrje që kjo fushtë të ketë për yll polar sjelljen qytetare dhe shmangien e çdo tensioni dhe përplasjeje. Le të zhvillojmë ne fushatën më të qytetëruar, atë të vlerave të vërteta. Krahas kësaj fushatë po zhvillohet fushata e ‘rrugës së vetme’, ajo është rruga e shpifjeve dhe hakmarrjeve që nuk ka asnjë të përbashkët me interesat tuaja dhe familjeve tuaja. Zoti Rama qytetarët kanë nevojë për projekte konkrete, ndaj këtë fushatë le ta shndërrojmë në fushatën e alternativave. Le t’i japim atyre të zgjedhin jo përmes fyerjeve të cilat janë dëshmi e dëshpërimit të thellë e një varfërie ekstreme në vizion, por edhe një mungesë respekti për qytetarët”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë ka bërë një sërë premtimesh, duke theksuar edhe investimet që ka bërë qeveria gjatë këtyre viteve të fundit.

Berisha ka premtuar investime në infrastrukturë dhe ka theksuar se Lushnja shumë shpejt do të ketë 24 orë furnizim me ujë të pijshëm.

“Qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Arben Sanxhaku dhe kryetarëve të komunave tuaja për të përmirësuar jetën tuaj dhe për të bërë të mundur që mundi dhe djersa juaj të marrë shpërblimin që meriton. Do të bëjmë gjithçka që në këto katër vite të shndërrojmë Lushnjen në një kryeqendër moderne. Do të bëjmë çdo gjë që këtë qytet ta shndërrojmë në një qendër të vërtet. Do të bëjmë që Lushnja të jetë një nga qendrat tursistike”, është shprehur Berisha.

“Gjatë këtyre viteve qeveria ka investuar në qytetin tuaj 14 herë më shumë se qeverisja e PS. Kemi ndërtuar 200 km rrugë nga të cilat 103 km rrugë kombëtare dhe 107 km rrugë rurale. Në katër vitet që vijnë nuk do ketë qoftë edhe një km rrugë të paasfaltuar. Ne kemi ndërtuar 27 shkolla. Katër vitet që vijnë në Lushnje do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo shkollë që është e nevojshme në këtë rreth. Lushnja me ujë 24 orë kjo do jetë motoja e katër viteve që vijnë”, theksoi Berisha.

“Qytetarët kanë votuar dhe e dinë për kë kanë votuar. Ti mund t’u thuash se është Sali Berisha kryetar bashkie, por ata duan projekte dhe zgjidhje. Ata po presin 8 majin që të të japin fundin që meriton. Ju garantoj se do punojmë ngushtë me qytetarët e Lushnjes, që të bëjmë gjithçka që ju të gëzoni shërbimet më të mira dhe Lushnja turistike të shndërrohet në gjenerator të fuqishëm të mirëqenies për çdo familje shqiptare”, theksoi Berisha.

Top Channel