Fundi i vitit 2010 regjistroi nivelin rekord të kredive me probleme për sektorin bankar. Janë rreth 68 miliardë e 500 mijë lekë (ose 680 milionë dollarë), kredi të dhënë nga bankat në vitet e fundit, të cilat nuk po shlyhen në kohë, ndërsa vërehet se një pjesë po shkon drejt humbjes.
Sipas gazetës “Shqip”, Banka e Shqipërisë në raportin vjetor 2010, jep me detaje ecurinë e kreditimit të ekonomisë nga bankat private, duke theksuar rikthimin e normalitetin në sistem, por që sërish mbetet larg treguesve të katër viteve më parë.
“Rritja e kreditimit ka ndikuar në ecurinë e cilësisë së portofolit të kredisë. Në vitin 2010, kreditë me probleme pësuan rritje me rreth 21 miliardë e 400 milionë lekë (rreth 215 milionë dollarë), ose gati 14 për qind më shumë krahasuar me fundin e vitit 2009”, thuhet në raportin e BSH-së, i paraqitur këto ditë në Kuvend.
Pavarësisht kësaj rritjeje, BSH tregon se, në tremujorin e katërt të vitit 2010, rritja e kredive me probleme ishte 3 miliardë e 400 milionë lekë, nivel ky tepër i ulët në dy vitet e fundit.
Duke i krahasuar dy muajt e fundit të vitit 2010, dhjetorin dhe nëntorin, shikohet një rënie e kredive me probleme për 1.1 miliardë lekë, shenja këto që tregojnë për një stabilizim të situatës.
“Për herë të parë në dy vitet e fundit kemi një rënie në treguesin mujor të raportit të kredive me probleme, nga 14.4 për qind në nëntor, në 14 për qind në fund të muajit dhjetor 2010”, nënvizon BSH. Nga statistikat shikohet se në fund të vitit 2009, raporti i kredive me probleme në raport me totalin e kredive ishte 10.5 për qind. Shkaqet e këtij niveli tepër negativ të kredive me probleme janë të shumta, që lidhen kryesisht me kushtet ekonomike të individëve dhe krizën te biznesi. Sektori privat ka më shumë probleme likuiditeti me bankat, në masën 15.5 për qind, në raport me individët, që në fund të 2010-s ishin me 11.7 për qind (gjithnjë, në raport me totalin e kredive të dhëna, që është 476 miliardë lekë). Si në monedhën lek, ashtu dhe në valutë, të dyja paraqesin pak a shumë të njëjtin nivel raporti ndaj totalit të kredive.
Kreditimi në ekonomi duket se i është rikthyer normalitetit, pra tendencës rritëse, pas krizës të shënuar në fund të 2008-s dhe fillimit të 2009-s. Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i kreditimit në ekonomi është rritur në vitin e kaluar me 9.07 për qind, ku rritja më e madhe e kredisë është regjistruar në tremujorin e fundit të 2010-s, me rreth 18 miliardë lekë. Megjithatë, banka vë re, se përkundrejt ritmeve të larta të rritjes së peshës së aktivitetit kredidhënës të sektorit bankar ndaj totalit të aktiveve, gjatë dy viteve të fundit është regjistruar një ngadalësim i ritmit rritës.
Në tremujorin e katërt të vitit 2010, standardet e kreditimit u lehtësuan, si për bizneset ashtu edhe për individët. Për kredinë dhënë bizneseve lehtësimi i standardeve konfirmon kthesën e filluar që në tremujorin e tretë të vitit 2010, ndërsa lehtësimi i standardeve për individët pason shtrëngimin e tyre në tremujorin e kaluar.
Zhvillimet në standardet e kredisë akorduar bizneseve dhe individëve në tremujorin e katërt të vitit 2010 janë në linjë me pritjet e bankave të shprehura në vrojtimin e kaluar. Faktori “konkurrencë” ka dhënë gjithashtu një kontribut pozitiv në lehtësimin e standardeve për kredinë akorduar gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010.
Në raportin e përgatitur nga ekspertët e BSH-së janë të vendosur të dhënat më të fundit të aktivitetit ekonomik në vend, të lidhura me sistemin bankar. Një tjetër e dhënë e rëndësishme është edhe numri i kredimarrësve në të gjithë historinë bankare në vend, plot 540 mijë, ku vetëm 260 mijë janë aktive, kurse pjesa tjetër e ka mbyllur “hesapin” me bankat. Regjistri bankar, përmban të dhënat e gjithë kredituesve në vend, mbi ecurinë e shlyerjes së huave dhe problemeve që kanë me bankat.
Sa u takon kredive të dhëna nga bankat, në rang qytetesh, Tirana zë vendin kryesor, mbi 70 për qind, e ndjekur nga pas nga Vlora dhe Durrësi, në nivele 10 për qind.
Top Channel