Ekuadori ka shpallur person “non grata” dhe i ka kërkuar të lërë vendin sa më parë që të jetë e mundur ambasadores amerikane në Quito, Heather Hodges.
Vendimi për shpalljen e diplomates amerikane si të padëshiruar nga ana e shtetit amerikano-latin u mor pas publikimit të një kabllogrami të Wikileaks, ku Hedges i raportonte Departamentit të Shtetit duke thënë se presidenti ekuadorian, Rafael Correa ishte në dijeni të korrupsionit në radhët e drejtuesve të lartë të policisë.
Ministri i Jashtëm ekuadorian, Ricardo Patino refuzoi ta cilësojë si dëbim kërkesën kundër ambasadores amerikane. Patino tha se ishte takuar më parë me Hedges për të sqaruar rrjedhjen e kabllogrameve.
“Ambasadorja nuk kishte një përgjigje të kënaqëshme për të sqaruar raportimin e bërë në Uashington për dijeninë e presidentit Correa mbi korrupsionin në rangjet e larta të policisë”, tha ministri Pinto.
Gjithësesi, autoritetet ekuadoriane u kujdesën të sqarojnë se ky vendim nuk është kundër qeverisë dhe autoriteteve amerikane, por kundër një diplomatje që ka bërë deklarata të paqena.
Ndërkohë, në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner e cilësoi shpalljen e ambasadores Hodges “non grata” si të pajustifikueshme.
Top Channel