Kur kanë mbetur vetëm dy javë nga nisja zyrtare e fushatës zgjedhore, Partia Demokratike tenton të ulë tensionin politik, duke ftuar Partinë Socialiste të ulen në një tryezë të përbashkët.
Ftesa është bërë nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi për homologun e tij socialist Gramoz Ruci, të gjithë kryetarët e grupeve të tjera parlamentare, si dhe për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth.
Në tryezën e thirrur të marten e ardhshme, më 29 mars, zoti Patozi propozon që partitë parlamentare të angazhohen për të zbatuar ato rekomandime të OSBE/ODIHR-it që lidhen direkt ose indirekt me rolin e partive në një proces zgjedhor.
Sipas Kodit Elektoral, forcat politike janë ato që kanë praktikisht në dorë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për shkak të pushtetit që u është dhënë nëpërmjet komisionerëve.
Për këtë arsye, në letrën e tij, zoti Patozi, duke vlerësuar rëndësinë e procesit përgatitor të zgjedhjeve, thekson të një rëndësie themelore rekomandimin e parë të raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili kërkon që “partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet e mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve, duke iu bindur ligjit dhe jo urdhërave politikë”.
Zakonisht, të tillë urdhëra kanë bllokuar shpesh herë procesin zgjedhor ditën e zgjedhjeve ose gjatë numërimit të votave, por, sipas Partisë Demokratike, nëse do të ketë vullnet politik nga të dyja palët, procesi zgjedhor mund ta ruajë integritetin e tij.
Ftesa e zotit Patozi së pari vjen në një kohë kur Partia Socialiste nuk përfaqësohet me komisionerët e saj në zgjedhje, për shkak të mosrespektimit prej saj të afatit ligjor dhe kur lista me komisionerët e opozitës është dorëzuar në KQZ para pak ditësh, jashtë afatit dhe mbetet ende e pashqyrtuar.
Së dyti, ftesa e Partise Demokratike për Partinë Socialiste nuk përfshin si pjesë të diskutimeve 3 garancitë që ka kërkuar opozita për procesin zgjedhor, listat e votuesve, pajisjen e komisioneve me mjete identifikuese për kartat e identitetit, si dhe të drejtën për të hapur pas numrimit cdo kuti që kërkohet për të shmnagur atë që quhet nga kreu i socialistëve Edi Rama si “korrupsion elektoral”.
Në letrën e Astrit Patozit thuhet se, “respektimi i plotë dhe vullnetmirë i kuadrit kushtetues dhe ligjor, i cilësuar nga OSBE/ODIHR si një bazë e kompletuar për të zhvilluar zgjedhje demokratike, është garancia më e mirë jo vetëm për të përmbushur interesat legjitime të subjekteve elektorale, por mbi të gjitha interesin e zgjedhësve shqiptarë”.
Top Channel