Lufta totale midis Barcelonës dhe Real Madridit ka filluar të shfaqet edhe në deklaratat e protagonistëve të këtij dueli, ndërsa Leo Messi shprehu sot në shtypin spanjoll një vlerësim tepër të ulët për trajnerin e rivalëve historikë, Jose Mourinho.
”Flitet shumë për Mourinho-n, por tashmë jemi mësuar dhe në skuadrën tonë, as unë dhe asnjë prej kolegëve nuk i jep më rëndësi asaj që ai thotë. Thuhen shumë gjëra, por ne i dedikohemi gjërave të tjera”, deklaroi Messi.
Duke folur për “La Nacion”, dy herë fituesi i Topit të Artë komentoi edhe situatën e dy bashkëatdhetarëve të tij, Mascherano e Milito, në “Camp Nou”.
”Mascherano po rritet me shpejtësi dhe po mëson gjëra të reja, të cilat nuk praktikoheshin tek Liverpool-i. Tek Barca është detyruar të ndryshojë lojë, përshembull përsa i përket rinisjes së shpejtë të topit.
Milito ka qenë gjithmonë një futbollist i rëndësishëm brenda skuadrës dhe edhe brenda kombëtares është shumë i respektuar për personalitetin e tij”.
Top Channel