Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të vazhdueshme të PS për kontrabandën e naftës, duke deklaruar se zanafilla e kësaj kontrabande është tek lidershipi i opozitës.
“Sot, përsëri, duke sulmuar autoritetet shtetërore për luftën e tyre pa kompromis ndaj kontrabandës, Edvin Kristaq Rama bën cdo gjë për të lehtësuar lejtnantët dhe sponsorët e fushatave të tij”, thuhet në një deklaratë.
Partia Demokratike ka paralajmëruar sërish kreun e opozitës se, gërshërët e ligjit herët a vonë do të bien edhe mbi të dhe aferat e tij.
“PD i deklaron Edvin Kristaq Ramës, monumentit më të nxirë të korrupsionit në Shqipëri e Evropë, se gërshërët e ligjit do të presin një e nga një, pa asnjë dallim të gjitha fijet e kontrabandistëve dhe evazorëve, e se në përpjekjet e tua për t’i mbrojtur do të njohësh dështim dhe vetëm dështim”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndërsa në një deklaratë tjetër, deputeti i PD Gerti Bogdani ka akuzuar kreun e PS se është përpjekur të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe se tani po përpiqet të pengojë integrimin në BE.
Top Channel