Kina lajmëron reforma

14/03/2011 14:00

Kryeministri kinez, Uen Jiabao edhe njëherë bëri thirrje për reforma politike në vend. Ai tha se arritjet ekonomike në këto 30 vitet e fundit mund të humbasin pa ndryshime institucionale.

Në fakt, kryeministri kinez nuk artikuloi qartë se çfarë reformash i duhen vendit, por sipas tij, ato duhet të prezantohen gradualisht.

“I kemi kushtuar shumë vëmendje trazirave politike në Azinë Perëndimore dhe Afrikën Veriore. Megjithatë, ne besojmë se është e gabuar të bëjmë krahasime mes Kinës dhe vendeve që po përballen me këto luhatje politike”, është shprehur Jiabao.

Çështja e korrupsionit dhe pabarazia kanë ndezur pakënaqësinë popullore ndaj Partisë Komuniste dhe janë rreziqet më të mëdha që kërcënojnë Kinën, tha kryeministri kinez.

“Duke parë me shumë vëmendje se çfarë po ndodh, korrupsioni është rreziku më i madh. Për të eleminuar riprodhimin e tij, ne duhet të ndërmarrim reforma institucionale”, theksoi Jiabao.

Ai i bëri këto komente në konferencen për shtyp që u zhvillua në fund seancës vjetore parlamentare në Pekin.

Deklaratat e tij e vunë atë përballë një tjetër politikani me eksperiencë, Vu Banguo, i cili javën e kaluar përjashtoi mundësinë për ndryshime të mëdha politike.

Duke folur në Parlament, Vu tha se arritjet ekonomike të dekadave të fundit, do të humbasin, nëse sistemi ndryshon shumë.

Udhëheqësit kinezë shpesh flasin për t’a bërë sistemin politik më demokratik, duke paraqitur reforma të reja.

Uen shtoi se ndryshimet duhet të jenë graduale dhe të kryhen nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Kineze, e cila ka drejtuar vendin për më shumë se 60 vjet.

Publiku është shumë pak i informuar sesi udhëheqësit kinezë i marrin vendimet dhe se cilet janë qendrimet e tyre të vërteta, kështu që është e vështirë të vleresosh rëndësinë e fjalëve të tij.

Ose, sipas analistëve, kryeministri kinez Uen Jiabao që pritet të tërhiqet brenda dy vjetësh, po përpiqet të kujdeset për çfarë do të lërë pas.

Top Channel