Në mbrojtje të Piramidës

11/03/2011 15:55

Ndërsa brenda kryesisë së Kuvendit bëhej prezantimi i projekteve, kryetari i shoqatës së Arkitektëve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe kryetari shoqatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kanë kundërshtuar këtë takim ku specialistët janë përjashtuar.

Kreu i shoqatës së arkitektëve Artan Shkreli, tha se në këtë takim nuk është ftuar asnjë arkitekt dhe ka theksuar se qeveria po shkel Kushtetutën dhe po merr të gjitha kompetencat e pushtetit vendor.

“Kolegë të mi që nuk kanë ardhur menjëherë kemi ardhur personalisht për të denoncuar mënyrën e tmerrshme me të cilën vendoset të ndërhyhet në qendër të Tiranës. Këtu kemi të bëjmë më nje ndërhyrje kushtetuese ku një pushtet ndërhyn në pushtetin tjetër”, është shprehur Shkreli.

Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Artan Lame e ka cilësuar këtë takim, si një nga kurthet e rradhës së kryetares së Kuvendit.

“Është e turpshme që në mes të natës vendoset për projektin e ri të Parlamentit dhe prishjen e piramidës. Është thirrur Fahri Balliu dhe jo kryetari i arkitektëve në këtë takim. Kurthi i saj është që ka thirrur pronarët e medias dhe shpresoj që media të mos bjerë në një kurth kaq provincial”, tha Lame.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë treguar se Piramida ka dhe po ndërtohen në shumë vende të qytetëruara të botës, të cilat nuk i tremben formës së saj.

“Kishim shumë pak kohë sepse lajmërimi ishte shumë i shpejt. Ne bëmë një monstër të vogël të piramidës që kryetarja ta ketë dhe të mos ketë frikë nga Piramida”, tha Aldo Merkoçi, përfaqësues i shoqërisë civile.

Përfaqësuesit e Gardës nuk kanë lejuar që kryetares së Kuvendit t’i jepej kjo dhuratë simbolike, ndaj përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë vendosur ta lënë jashtë godinës së Kryesisë.

Top Channel