ARMO, qeveria nxjerr në shitje aksionet

01/03/2011 08:00

Ministria e Financave nxjerr në shitje aksionet që zotëron shteti në kompaninë e naftës ARMO.

Nga privatizimi në gusht të 2008-s, qeveria mundi të shiste 85 për qind të aksioneve për rreth 170 milionë dollarë, kurse tani kërkon të heqë edhe pjesën e mbetur, mbi të cilën kanë pronësi punëtorët dhe pronarët e truallit.

Vlera e kapitalit për 15 për qind të aksioneve të mbetura, sipas Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë ministrisë, është rreth 50 milionë dollarë.

Nga totali i aseteve të mbetura, rreth 5 për qind i takon punëtorëve dhe pronarëve të truallit, kurse 10 për qind janë nën administrimin e qeverisë.

Drejtoria në Ministri të Financave ka shpallur edhe procedurat që duhet të ndjekin zotëruesit e letrave me vlerë, që në rastin konkret janë punëtorët.

Me këtë rast, qeveria fut në lojë edhe bonot e privatizimit, interesi i të cilave ka rënë në nivele rekord, më pak se 5.5 për qind.

Ajo që bie në sy është procedura e përshpejtuar për ta mbyllur ankandin. Punonjësve të shoqërisë i janë lënë 10 ditë afat për të dorëzuar të gjithë dokumentacionin e mundshëm.

Më tej, brenda datës 25 mars, shoqëria që drejton ARMO-n duhet të dorëzojë në Ministri të Financave listat e punonjësve, së bashkë me vitet e punës, daljen në asistencë dhe trajtimin me pagesë papunësie.

Faza e tretë, brenda datës 24 prill punonjësit e shoqërisë do të bëjnë regjistrimin e kërkesave për zotërim aksionesh në këmbim të bonove të privatizimit pranë Degës së Thesarit në rreth ose në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike.

Vendimi për shitjen e aksioneve të mbetura të ARMO-s vjen pas qëndrimeve të Kryeministrit Berisha, për nisjen e fushatës së privatizimeve të çdo prone publike, ku në total mendohet të jenë mbi 1200 objekte.

Top Channel