Imazhi i ri i shqiptarëve

26/02/2011 16:55

Kanë kaluar 20 vjet dhe pamjet me anijet e eksodit shqiptar, mbushur me barbarë të kohërave moderne, që niseshin drejt brigjeve të Italisë, e që s’ishin veçse, fillimi i një rruge të gjatë drejt emigracionit, janë të pashlyeshme nga kujtesa dhe të emocionojnë sa herë shfaqen.

Kanë kaluar 20 vjet, aq sa i duhen një fëmije për t’u bërë burrë, aq sa mund t’i duhen një njeriu, për të ndryshuar jetën, aq sa mund të duhen për të realizuar ëndrrat.

Sot pas 2 dekadash, këta të rinj shqiptarë nuk janë më të sapoardhurit e pangrënë, me fytyra të drobitura nga lodhja, por qytetarë të mirëintegruar në shoqërinë italiane.

Imazhi i këtij komuniteti, sot nuk janë me vetëm arstistët, por edhe ata njerëz që me punën e tyre kanë ngritur një biznes, e që sot mund të thonë pa frikë: “Po, ia kam dalë”.

Nikolin Gjeloshi është njeri prej tyre, që ka arritur larg. Atje ku 20 vite më parë nuk do ta kishte besuar.

Niko ka ardhur në Itali me skaf dhe sot jeton në Toskana, krahinën e dytë në Itali pas Lombardisë me numrin më të lartë të shqiptarëve plot 62 mijë.

Firenze, është shndërruar në vendin më të dashur pas vendlindjes Dukagjinit një qytet pikë referimi, për artin, kulturën dhe mendimin italian, ku dhe ka ngritur një biznes të suksesshëm.

Por ajo që ka mbledhur mbi 400 të ftuar në Palazzo Vechio dhe sallën e saj më të rëndësishme “Salone del 500” është një libër, kushtuar pikërisht Nikolin Gjeloshit, me titullin “Niko, qytetar i botës”. Ky libër është gjithashtu një rast i mirë për të festuar 10 vjetorin e binjakëzimit mes Tiranës dhe Firences.

“Qëllimi është që të shkruhej jo vetëm për një person, për bën fjalë për vuajtjet e emigrantëve shqiptarë që nga kalimi me skaf i Kanalit të Otrantos. Trajtimi i keq që na është bërë në vitet ’90. Në atë kohë ne kemi qenë si një insekt në trupin e italianëve”, është shprehur Nikolin Gjeloshi.

Ky nuk është një roman, por histora e këtij shqiptari, e shkruar nga aktori i njohur italian Paolo Seganti. Paolo i njohur për publikun shqiptar edhe nga seriali njohur Ritorno a Rivombroza, rrëfen se e njohu Nikolinin 4 vjet më parë kur po shkruante skenarin e një filmi dhe teksa dëgjonte historitë e tij prej emigranti, zbuloi se njeri prej personazhet i ngjante tmerrësisht Nikos.

Ato që dëgjoi, e prekën, por edhe e mrekulluan aq sa vendosi të shkruante këtë libër me titull: “Niko, qytetar i botës”.

“Ishte një histori thuajse hollivudiane. Ai u nis nga Shqipëria me një ëndërr të vogël, por të madhe: të bëhej sipërmarrës. Ai është rritur nën regjimin komunist dhe kur diktatura u shemb, në vend që të qendronte atje pa bërë asgjë, u nis si shumë shqiptarë të tjerë, në kërkim të fatit gjetkë, por gjithmonë ndershmërisht. Qëllimi im nuk ishte të shkruaja një libër për një plagë sociale, siç është emigracioni, por nëse kjo shërben për të përmirësuar imazhin e shqiptarëve, më vjen mirë”, thotë Seganti.

Top Channel