Bajern “hakmerret” ndaj Interit

23/02/2011 22:40

Bajerni i Mynihut në rastin më të parë, është “hakmarrë” ndaj Interit për humbjen në finalen e sezonit të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve.

Falë një goli të shënuar nga Mario Gomez në minutat e fundit të takimit, bavarezët dolën triumfues në San Siro përballë zikaltërve të Leonardos.

Zikaltërit, mundohen të kontrollojnë lojën në minutat e para të takimit, por skuadra gjermane, me kalimin e minutave fiton terren dhe jo vetëm që balancon lojën, por në minutën e 24 rrezikoi seriozisht portën e Hulio Cezar teksa godet traversën. Për zikaltërit një rast i mirë u shpërdorua nga Kambiaso, i cili pas një rrëmujë në zonën gjermane del vetëm për vete me portierin, por gjuajtja e tij devijohet nga Kraft.

Pjesa e dytë nis aty ku përfundoi e para, me të dyja skuadrat që tregohen më shumë të kujdesshme për të mos pësuar gol se sa për të shënuar. Inter për disa minuta bëhet padron i fushës duke u shfaqur më shpesh në portën zikaltër, por gjithësesi pa sukses.

Në minutat e fundit të takimit, atëherë kur Inter sposton lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe kur pritej fërshëllima përfundimtare e gjyqtarit të takimit, Bajern kalon në avantazh me anë të Gomez, një gol ky që favorizon bavarezët në ndeshjen e kthimit në Gjermani, ku mund të luajnë më të qetë.

Takimi tjetër i kësaj mbrëmje, ai mes Marsejës dhe Mançester Junajted u mbyll në barazim 0-0, duke lënë të sfidën për në ndeshjen e kthimit në Angli ku e favorizuar shihet skuadra e Sir Aleks Ferguson.

Liga e Kampionëve rikthehet më 5 mars me ndeshjet e kthimit të kësaj faze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA