Besëlidhja shënon fitoren e parë në këtë sezon të Kategorisë së Parë. Skuadra lezhjane për të cilën debutonte në stol trajneri Klevis Hima që zëvendësoi Elvis Plorin, mposhti Besën me rezultatin 2-1.

Ogungibre në minutën e 19 dhe Bilali në të 45 i dhanë avantazhin Besëlidhjes, ndërsa për Besën që synon ngjitjen në Abissnet Superiore golin e vetëm e shënoi Prengaj.

Nuk pati fitues në përballjen mes Pogradecit dhe Flamurtarit, pasi kjo sfidë u mbyll me barazimin pa gola. Ishte një përballje e luftuar kjo por që asnjë prej skuadrave nuk ishte në gjendje të gjente rrugën e rrjetës dhe kështu skuadrat morën nga një pikë secila.

Zhgënjeu në këtë javë të Kategorisë së Parë, Korabi kryesues që u mund në transfertë nga Kukësi me rezultatin 3-0, një humbje që e zbret atë në vendin e tretë. Frenohet edhe Bylisi që barazoi në fushën e Ilirisë 1-1, një rezultat që u pa edhe në sfidën mes Sopotit dhe Kastriotit. E vetmja fitore në transfertë e kësaj fundjave ishte ajo e Burrelit që mposhti Orikun 1-0.

Pas javës së katërt, në krye të klasifikimit të Kategorisë së parë  është Pogradeci me 8 pikë, i ndjekur nga Besa dhe Korabi me 7, ndërsa në vendet e fundit të klasfikmit janë Flamurtari dhe Oriku me këtë të fundit që është e vetmja skuadër që nuk ka marrë asnjë pikë deri tani në këtë sezon.

Top Channel