“Shtëpia ime nuk është imja”

21/02/2011 19:25

Hatixhe Hoxha i përket atij brezi që deri pak vite më parë as mund ta merrnin në konsideratë jetesën me qera.

E lidhur gjithnjë me idenë e shtëpisë fikse, pasi në një të tillë është lindur dhe ka shkuar nuse, kushtet ekonomike e kanë detyruar ta kapërcejë një mendësi të tillë e t’u përshtatet rrethanave.
 
Të jetuarit me qera, sipas sociologëve, po kthehet në tendencë në vendin tonë ditë pas dite.

“Para viteve ’90 ishte e pakonceptueshme jetesa me qera. Pas ’90-ës, popullsia u përball me formën e re të jetesës, atë të jetuarit me qera për shkak të lëvizjeve migratore, mungesës së stabilitetit në vendin e punës, nivelit të ulët të të ardhurave etj”, shprehet sociologia Binjaku.

Në këto kushte është shumë e vështirë të disponosh një pronë të patundur siç është shtëpia. Zonja Hoxha në fakt e kishte një shtëpi, të cilën e sakrifikoi për të hapur një biznes, si mundësia e vetme për të gjetur punë dhe për të siguruar jetesën.

“Në moshën time është e vështirë të jetosh me qera. Duhet të kesh një punë stabël. Është e vështirë për mua dhe për burrin të gjejmë punë. Por akoma më e vështirë që të blejmë shtëpi”, thotë zonja Hoxha.

Jetesa me qera sjell me vete jo pak probleme sociale dhe ekonomike, por madje dhe psikologjike. Sipas sociologes, Binjaku, mentaliteti shqiptar e percepton me konotacion negativ këtë stil jetese.

“Thuhet me keqardhje: “Jeton me qera”. Por kjo s’duhet parë në mënyrë dramatike, pasi ka shumë të rinj të cilët nuk e shohin fare të lidhur veten me shtëpinë”, shpjegon Binjaku.

Kjo situatë ndryshon për brezat më të vjetër të cilët janë kultivuar me konceptin se shtëpia është prona kryesore.

“E para pronë me të cilën u pajisën shqiptarët pas ndërrimit të regjimit ishte shtëpia kështu që moshat e mesme dhe ato të thyera janë shumë më të lidhur me shtëpinë”, shton sociologia.
 
Ndërkohë, në Perëndim, të banuarit me qera, madje përgjithmonë, është një stil jetese krejt i zakontë.

“Jashtë njerëzit nuk kanë të njëjtin koncept siç kemi ne për shtëpinë. Ata mendojnë të investojnë për një biznes, ose t’i kursejnë të ardhurat e tyre në bankë për një jetë më cilësore në të ardhmen”, tregon Binjaku.

Ndërsa zonja Hoxha thekson: “Ndryshe është jeta jashtë. Ne s’jemi si ata. Jeta e tyre është më e sigurtë sepse kanë punë. Tani të gjithë përpiqen të hapin biznes, të kapin një punë, por të blesh shtëpi është akoma më e vështirë.”

Por zonja Hoxha e ka lënë mëjanë për momentin ëndrrën për të pasur një shtëpi të përhershme. Për të më e rëndësishme është puna: “Tani për tani, jemi me qera. Nëse do mblidhen të ardhura gjërat mund të ndryshojnë, por…”

52-vjeçarja jeton me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj studentë në një pallat ku pjesa më e madhe e familjeve të tjera paguajnë qera.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA