Dasmat dhe shoqërueset e nuseve në Shqipëri

17/02/2011 18:55

Fustani i nusërisë dhe mënyra se si organizohen detajet e dasmave në Shqipëri, ishin në qendër të reportazhit të emisionit të pasdites, në Top Channel.

Fustani i nusërisë, buqeta e bardhë dhe shoqërueset e nuseve janë elementët kryesorë ku përqendrohet vëmendja e çdo femre, në ditët e fundit të dasmës.

Ajo kërkon perfeksionin dhe shpalosjen e shijes së saj në çdo detaj të asaj dite. Por, t’ia dalësh mbanë e vetme në organizim është pothuajse e pamundur.

Pikërisht për këtë arsye, nuset përzgjedhin shoqërueset që do të jenë bashkëudhtaret e tyre në çdo hap që do të hedhin gjatë ditës më të rëndësishme të jetës.

Edhe pse shoqërueset e nuseve janë një tendencë e re në Shqipëri, ato janë një traditë që daton shumë kohë më parë. Për këtë na tregon edhe më shumë Frederika, pronarja e dyqaanit të fustaneve nusërore:

”Historia e shoqërueseve të nuseve daton që në kohën e Romës së lashtë dhe lidhet me historinë e një gojëdhëne. Arsyeja se përse lindi ideja e shoqërueseve të nuseve dhe dhëndrit është për të mbrojtur çiftin nga djalli dhe nga e keqa.

Duke u veshur pothuajse njëlloj me dhëndrin dhe nusen djalli nuk do ta gjente dot çiftin e vërtetë dhe do të largohej. Atëherë kishte madje edhe ligje që rregullonin se si do të organizoheshin dasmat dhe funksionin e shoqëruesve në to”.  

Një nga nuset shqiptare që ka zgjedhur të ketë pesë shoqëruese në dasmën e saj është Sonila. Ajo po i përjeton shumë momentet e fundit të vajzërisë dhe thotë se nuk e imagjinon dot ditën më të bukur të jetës, pa mikeshat e saj më të mira.

“Unë zgjodha të kem shoqëruese të parë motrën time dhe katër shoqërueset e tjera janë kushërirat e mia. Bashkëshorti nuk do të ketë shoqërues, por vetëm dëshmitar kur të bëjmë ceremoninë në Bashki. Shoqërueset do të jenë një ekskluzivitet vetëm i imi”, thotë Sonila.

Të qenit shoqëruese nderi nuk është vetëm privilegj, por ka edhe detyra kryesore dhe të rëndësishme, që e plotësojnë dasmën në kompleksin e saj. Si shoqëruese e pare, Romina tregon eksperiencën e saj për herë të parë në këtë rol.

“Duke qenë se jam motra, jam edhe shoqëruesja e parë e nuses. Detyrat e mia janë të shumta, njëra prej të cilave është edhe zgjedhja e fustanave. Do të jetë e bukur estetikisht për t’u parë që të pesta shoqërueset do të vishen njësoj”.

Një prej profesionisteve të përgatisjes së dasmave, i përshkruan kështu detyrat që kanë shoqërueset e nuses.

”Detyrat kryesore të shoqërueseve të nuses janë të përkujdeset për të ftuarit, për ngjyrën e fjongove, të mbajnë me vete një kuti tualeti për të rregulluar nusen gjatë dasmës, pse jo një fije dhe një gjilpërë për të papriturat që mund të dalin gjatë ceremonisë”, shton Frederika.

”Një tjetër detyrë është organizimi i festës së beqarisë, e cila është një eksluzivitet vetëm i saj. Shoqëruesja duhet të jetë në kontakt gjatë të gjithë kohës me fotografin, kameramanin, parukieren, tortën, etj”.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel