Tenderi, nis prodhimi i 150 mijë targave të reja

16/02/2011 08:00

Prej ditës së sotme, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Publik ka nisur prodhimin e targave sipas modelit të ri, të miratuara nga qeveria në tetor të vitit të kaluar.

Institucioni përgjegjës për shërbimin e automjeteve, ku futet edhe kolaudimi, ka lidhur kontratë më 8 shkurt me subjektin fitues të tenderit me vlerë rreth 1 milion dollarë. “Sipas kontratës të lidhur dhe shumës së vënë në dispozicion, është rënë dakord që të prodhohen rreth 150 mijë targa të reja, ose 75 mijë palë për çdo automjet”, thanë për gazetën burime zyrtare të Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Targat e reja do të vendosen për të gjitha llojet e automjeteve, përfshi edhe bujqësoret apo të trupit diplomatik.

Modeli i ri përcakton se përmbajtja e targës duhet të jetë me tre numra, të vendosur mes katër germave, të ndara nga dy, kurse në vend të ngjyrës së kuqe do vendoset ajo blu, sipas BE-së, pa i hequr simbolin e shqiponjës.

Sipas ligjit, do të aplikojnë për targat e reja vetëm drejtuesit e automjeteve që i targojnë për herë të parë ata që ndryshojnë pronësinë, ose persona të cilët kanë dëshirë.

Sipas Drejtorisë së Transportit Rrugor, vlera e targës do jetë e njëjtë siç ka qenë deri sot, rreth 4 mijë lekë, ndërsa ndryshimi me modelin e ri prek 24 lloje targash.

Top Channel