Meta bashkon PD me PS

16/02/2011 16:35

Kuvendi i Shqipërisë me 128 vota pro ka miratuar kërkesën e prokurores së përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. (UPDATE)

Vetë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi renditi faktet e ofruara edhe nga eksperti amerikan e që sipas tij rrëzojnë akuzat, tha se ky është një skenar i shëmtuar i realizuar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Sipas zotit Meta, të vetmet fakte të sigurta janë ato të videos së dytë mes Dritan Priftit dhe zëvendësministrit Leonard Beqiri.

“Sepse këta janë të cuditshëm, numërojnë eurot, i fusin në xhep dhe i bëjnë për të provuar korrupsionin e Ilir Metës. Ky është dëshmitari më i fëlliqur i juaji, se ata të sigurimit të shtetit 30 vjetëve më parë”, deklaroi Meta.

Kreu i LSI tha se do t’i përgjigjet të gjitha thirrjeve të prokurorisë, jo për cështjen e tij por për atë që ndodhi si pasojë më 21 janar.

“Sepse nga manipulimi dhe montimi i kësaj videoje nisi 21 janari, nisi gjakderdhja e shqiptarëve të pafajshëm dhe garantues i këtij montimi ka qenë vetëm një person, kryetari i PS, që do mbajë përgjegjësinë e tij”, theksoi Meta.


Imuniteti, ndryshon rregullorja

Ndërkohë Kuvendi është shoqëruar me akuza të forta mes palëve edhe përsa i përket ndryshimeve në rregullore, ku përfshihet edhe iniciativa e mazhorancës për heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga imuniteti në rast kerkese të prokurorisë.

Nga socialistët ky u quajt një manipulim i radhës, sic ka ndodhur sipas tyre edhe në rastin e deputetëve Basha e Mediu.

“Barazimi i deputetëve të ndershëm me ata që u kërkohet imuniteti është i pavlerë. Nuk mund të krahasohen deputetët e ndershëm, qoftë nga PD qoftë nga PS, me ata të cilëve prokuroria u kërkon heqjen e imunitetit”, deklaroi deputeti Namik Dokle.

Ndërsa kreu i qeverisë Berisha tha se është i gatshëm të mbështesë cdo propozim të socialistëve për kufizimin e imunitetit, qoftë kjo edhe duke amenduar Kushtetutën.

“Jeni ju kundër këtij amendimi të rregullores? Dakord, unë ju garantoj se do jetë provizor. Sillni amendimin e Kushtetutës nëse e keni seriozisht dhe unë nuk do bëj gjë tjetër vecse t’ju falenderoj një nga një për amendamentin që keni sjellë”, replikoi Berisha.

Kryeministri deklaroi hpaur edhe arsyet për të cilat sipas tij është bërë ndryshimi në rregullore përsa i përket zhvendosjes së debatit të lirë në fund të seancës, pikë edhe kjo e kundërshtuar fort nga PS.

“Nuk do mundni kurrë më të bllokoni këtë seancë e këtë Parlament. Ju mund të përdorni grushta e shkelma, mund të bëni c’të doni, por ky Parlament nuk do rreshtë së funksionuari”, deklaroi Berisha.

“Ky është një atentat që do të thotë se tani e tutje në Shqipëri nuk ka vlerë Kushtetuta dhe rregullorja. Një atentat që tregon se në Parlament do zbatohen vetëm urdhërat e Berishës dhe nismat absurde të Topallit”, tha pas tij Dokle.

Më pas seanca ka patur edhe momente tensioni, duke u ndërprerë për rreth 15 minuta pas protestave të socialistëve.

Ndërkohë, Kuvendi me 73 vota ka miratuar edhe futjen me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në rregullore.

Top Channel