Fyle: Shqipëria në krizë politike

16/02/2011 18:00

Shqipëria ndodhet e bllokuar në një krizë politike. Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka përdorur pa fjalë të ndërmjetme këto terma në raportin e tij tejet të gjatë përpara Parlamentit Europian, i cili debatoi për situatën në vend pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit. (UPDATE)

Shtefan Fyle: “Sot, Shqipëria është mbërthyer në një krizë politike. Zhvillimet në Tiranë të premten, 21 janar 2011, ishin tragjike. Ngerci politik ka rezultuar në katër vdekje të panevojshme. Toni në Tiranë ka nevojë të ndryshojë. Kjo spirale e rrezikshme në rënie duhet të marrë fund. Kriza politike duhet të zgjidhet.

Kjo është përgjegjësi e përbashkët e liderëve politikë në Shqipëri. Kete presin qytetarët shqiptare dhe ata kanë të drejtë. Përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të veprojnë si te tillë: te përfaqësojnë njerëzit dhe të gjejnë kompromis demokratik.

Stop dhunës dhe hetim korrekt të ngjarjes së 21 janarit. Këto hetime duhet të kryhen nga autoritetet e drejtësisë, pa ndërhyrje politike. Stop abuzimit verbal dhe dobësimit të nënkuptuar apo të qartë të institucioneve te shtetit. Dialogu politik të vihet përsëri në shina.

Pranoni se ju keni një përgjegjësi të përbashkët për të siguruar një të ardhme më pozitive për Shqipërinë. Ne mund të ndihmojmë për të kapërcyer hendekun përmes angazhimit tonë aktiv. Megjithatë, ne nuk mund ta bëjnë këtë para se të dy palët të sinjalizojnë një vullnet të vërtetë për të vënë të ardhmen europiane të Shqipërisë mbi politikat partiake dhe mosbesimin personal.

Nuk ka asnjë hapësirë për “mbledhje qershish”. Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë dialogun interaktiv, politik dhe funksionimin e Parlamentit, ose asgjë. Për këtë arsye, unë i dërgova një letër kryeministrit Berisha një javë para demonstratave te janarit, ku përcaktova një “udhërrëfyes” bazuar në këto dymbëdhjetë prioritete kyce, për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga bllokimi i deritanishëm. Jemi dëshmitarë për të gjitha ngjarjet tragjike që pasuan.

Parlamenti Europian gjithashtu ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. Ju si politikanë, ju mund të dërgoni një mesazh të qartë e të unifikuar ndaj politikanëve. Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast  për t’i berë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, zotit Berisha për të krijuar një mjedis të vërtetë gjithëpërfshirës politik në Shqipëri. Forcat e tjera politike dhe organizatat e shoqërisë civile do të përfitojnë nga integrimi europian.

Më lejoni gjithashtu t’i bëj thirrje kreut të Partisë Socialiste, zotit Rama, për të siguruar se partia e tij është një opozitë vërtet konstruktive. Një e tillë që gëzon të mirat, por edhe përgjegjësitë e këtij mjedisi gjithëpërfshirës politik që ne dëshirojmë të shohim në Shqipëri”.

Qëndrimi i komisionerit u mbështet nga forcat e ndryshme politike, të cilat tentuan të mos bënin lojën e simotrave përkatëse shqiptare.

Mihael Daller, EPP: “Funksionimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit duhet respektuar në Shqipëri. Ndaj, pjesë e këtyre është dhe Parlamenti. Nuk mund të përdoret rruga e të shohim përsëri ngjarje si më 21 janar”.

Adrian Severin, socialdemokrat: “Është e papranueshme që ata që qëlluan mbi popull u quajtën heronj dhe ju premtua amnesti. Zgjedhjet lokale mbahen së shpejti dhe ato do të jenë një test i mirë për të gjithë politikanët. I kërkojmë komisionerit Fyle dhe drejtorit menaxhues Lajcak të marrin masa e të bëjnë të pamundurën, përmes ndihmës dhe monitorimit, që të garantojnë se zgjedhjet do të jenë të tilla”.

Marietje Shaake, grupi liberal: “Bisedova me dy përfaqësuesit e grupimeve politike shqiptare sot. I pyeta të dy për idenë se si mund të ecë ky vend përpara e si të shndërrohet ngërci në debat për atë cfarë ndikon tek të gjithë qytetarët. Të ndalohet krimi i organizuar, korrupsioni, papunësia e të krijohen mundësi për të rinjtë. Asnjëri prej tyre nuk më dha përgjigje”.

Maria Cornelissen, grupi Të gjelbërit: “Kjo krizë është kriza e kulturës politike. Bojkoti, greva e urisë, korrupsioni dhe rryshfetet janë pjesë e mentalitetit politik”.

Nikolaos Chountis: “Bllokimi politik vijon që nga rezoluta jonë e kaluar. Nuk na takon neve që të vëmë gishtin kush e ka fajin, por qytetarëve shqiptarë. Ata duhet të heqin dorë nga politika që “kush fiton, merr gjithcka” dhe të mendojnë realisht për qytetarët. Greqia e Italia po kalojnë një krizë ekonomike dhe mendoj se edhe Shqipëria është dëmtuar”.

Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin: “Po, nuk është ngërc, nuk është bllokim, është një krizë e portretizuar thellë politike, që po dëmton reputacionin e vendit, të qytetarëve dhe ambicjet e tyre për të ardhme europiane. Shpresoj vërtet që PE do dërgojë një mesazh të qartë e të përbashkët në Tiranë”.

Victor Bostinaru: “Sipas kryeministrit Berisha, protesta e 21 janarit ishte puc shteti i organizuar nga opozita, pjesë e së cilës ishte presidenti i Republikës, prokurorja e përgjithshme, shefi i SHISH, të gjithë këta të fundit të emëruar nga lidershipi Berisha. Më thoni ju lutem, a janë të gjithë këta tashmë socialistë, apo dicka po ecën gabim tek Berisha?”.

Doris Pack: “Kriza nuk nisi më 21 janar, por në mes të 2009-ës. Ku ishte Komisioni atëherë, kur socialistët kërkuan hapje kutish e rinumërim votash? E protesta më pas, edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se këto ishin zgjedhjet më të mira”.

Hannes Sëoboda, nënkryetar i socialdemokratëve: “Po bëhem skeptik për këtë debat, sepse në këtë shtëpi nuk mund të vihet gishti ndaj njërës palë apo tjetrës, duke thënë apo vepruar njësoj si grupet politike në Shqipëri”.

Gjatë diskutimit komisioneri u pyet nëse do të merreshin masa ndëshkuese si kthimi i regjimit të vizave, apo sanksione ndaj fondeve të BE-së për Shqipërinë.

Fyle tregoi se për vizat do të bëhej një raport me shkrim, ndërsa për fondet e paraanëtarësimit nuk do të kishte sanksione. Sipas tij, procedura është e ndershme: kush përmbush kriteret, merr paratë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel