Basha: Vizat, asnjë shkelje

15/02/2011 15:20

Që prej 15 dhjetorit, dy muaj nga liberalizimi i vizave, 126 mijë shtetas kanë dalë në vendet e zonës Shengen dhe 36 mijë prej tyre janë kthyer.(UPDATE)

Këto statistika u raportuan gjatë një tryeze nga ministri i Brendshëm i cili nënvizoi se pas heqjes së vizave nuk ka patur asnjë kërkesë për azil politik nga shtetasit shqiptarë.

“Gjej rastin të përsëris për çdo qytetar shqiptar në emër të qeverisë dhe të partnerëve se shanset për çdo qytetar që do të aplikojë për azil janë zero dhe kjo do të sillte vetëm një pasojë, dëbimin nga zona Shengen”, është shprehur Basha.

Sipas ministrit të Brendshëm, nga të gjithë ata që kanë dalë jashtë vendit, vetëm 2 përqind e tyre janë refuzuar, edhe këta janë pjesë e atij kontigjenti që rezulton të jenë persona “non grata” në vendet e zonës “Shengen”.

“Mesazhi i dytë është për ata që janë nisur në 15 dhjetor dhe nuk janë kthyer akoma, të kujtohen se kanë edhe një muaj kohë të kthehen, përndryshe as ministri, as kryeministri, as ambasadorët e huaj nuk ju bëjnë derman”, theksoi Basha.

Ai shoqërohej në këtë takim analitik nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Top Channel