Të mërkurën vendimi për Metën e Priftin

14/02/2011 20:05

Në komisionin e rregullores, mandateve dhe imuniteteve, Ilir Meta tha se është i interesuar më shumë se kushdo tjetër për të hedhur dritë mbi cështjen e videos dhe nëse prokuroria e braktis këtë hetim, ai do ta cojë cështjen në gjyq. (UPDATE)

Por ai shprehu rezerva për mënyrën se si ka vepruar prokuroria, e cila ka ngritur një cështje mbi videon e transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, ndërkohë që ekspertit amerikan i ka dërguar për ekspertizë videon origjinale të vënë në dispozicion nga Dritan Prifti.

Përvec kësaj, prokuroria nuk i ka bërë ekspertit pyetjen kryesore, nëse audio e videos është autentike apo jo.

“Për problemin audio, të zërit të videos, eksperti amerikan thotë: Unë nuk isha në gjendje të pastroja materialin me mjetet që kisha në dispozicion”, deklaroi Meta.

Ilir Meta dhe avokatët e tij i janë drejtuar privatisht ekspertit italian Antonio Frederico, i njëjti që ka bërë ekspertizën fonike në cështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Aldo Moros, apo ekspertimin fonik në një përgjim ndaj kryeministrit aktual Silvio Berlusconi.

Por ekspertit italian zoti Meta i ka dërguar videon e transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, video që është transmetuar në fakt prej vetë redaksisë me shkurtime.

Me këtë ekspertizë në dorë, Ilir Meta ka pohuar se në pjesën ku përmenden 700 mijë eurot, audio nuk dëgjohet.

“Në zonën e filmimit, ku Meta shqipton një fjali, ku sipas gazetares thotë: “Gimi më tha mua”, nuk ekzistojnë qartësia e sinjalit, raporti sinjalizues është më i ulët. Gjë që është e pamjaftueshme për dëgjimin, që kërkon një material mbi 10 decibel. Për rrjedhim, kjo video duhet të cilësohet e manipuluar”, theksoi Meta.

Në vijim deputetët Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri e kanë pyetur lidhur me faktin që prokuroria ka dërguar për ekpertizë videon orgjinale dhe jo atë të emisionit “Fiks Fare”.

“Nëse ekzistojnë materialet orgjinale, atëherë do ketë akoma më shumë konfirmime të manipulimeve dhe montimeve”, u është përgjigjur Meta atyre.

Në datë 12 janar, në një konferencë për shtyp në ministri, ish-ministri Ilir Meta, duke lexuar një mesazh të ardhur në celular thotë se, 700 mijë është dëmi që i është shkaktuar kompanisë, ndërkohë që më datë 17 janar në Kuvend, thotë se 700 mijë është investimi i kompanisë në koncesionin në fjalë.

Top Channel