Një 26-vjecar është qëlluar për vdekje me një pistoletë të tipit “TT” në banesën e shokut të tij, në rrugën “Ali Visha”, në Tiranë, pas një grindjeje që dyshohet se ka nisur mes katër shokësh për një fjalë goje. (UPDATE)
Burimet e policisë thonë se viktima, Alfred Musabelliu nga Tirana, kishte shkuar herët në mëngjes tek shtëpia e shokut të tij Albi Zela, në shoqërinë e një tjetër shoku, 22-vjecarit Donald Ymeri.
Policia tha se nga zbardhja e deritanishme e skenës së krimit dyshohet se Albi Zela ndodhej në banesën private edhe me shokun tjetër të grupit, Konstandin Xhuvanin, 22 vjec.
Policia dyshon se shokët kishin patur një grindje ordinere dy ditë para krimit dhe ndoshta arsyeja e takimit ka qenë për t’u sqaruar, duke përfituar edhe nga fakti se Albi Zela nuk i kishte prindërit aty.
Mirëpo, pas debateve mes viktimës dhe Albi Zelës, ka ndërhyrë për të mbrojtur të zotin e shtëpisë Konstandin Xhuvani, i cili dyshohet se pas sharjeve ka qëlluar për vdekje në kokë të riun Alfred Musabelliu.
Të paktën deri më tani ky është versioni i policisë pas marrjes së dëshmive të dy të ndaluarve, Albi Zela dhe Donald Ymeri, ndërsa po vijojnë kërkimet për të arrestuar autorin kryesor të krimit, Konstandin Xhuvani.
Top Channel