Meta: Imuniteti, heqje pa procedura

12/02/2011 09:10

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka deklaruar se do t’i kërkojë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, për të hequr imunitetin e tij pa procedura.

Në një deklaratë për mediat, Meta është shprehur i gatshëm të hetohet nga prokuroria mbi videon mes tij dhe Dritan Priftit, e cila sipas tij do të “cmontohet” nga drejtësia.

“Me qëllim që të cmontohen akuzat televizive ndaj personit tim, në emër të opinionit publik, i kërkoj zonjës Topalli vazhdim të deklarimit tim për dhënien e imunitetit në mënyrë vullnetare, që ta autorizojë atë pa procedurë parlamentare, në mënyrë që prokuroria të mos ketë asnjë justifikim për detyrime ligjore”, ka pohuar Meta.

Ish-numri dy i qeverisë e ka vlerësuar videon me Priftin si një sulm politik ndaj tij, i cili gjithësesi do të zhbëhet përmes transparencës së drejtësisë.

“Ky është një proces politik, i bazuar në akuza politike, megjithatë, unë kam treguar gjithmonë se jam nga ata politikanë që e lënë imunitetin me dëshirë, që kanë kurajë për t’u ballafaquar me ligjin dhe të jeni të sigurtë se gjithcka do bëhet me transparencë. Nëse ekziston materiali orgjinal, atëherë do të jetë më e lehtë për të cmontuar akuzat”, ka shtuar Meta.  

Top Channel