Duhanpirësit në Shtetet e Bashkuara përballen me një tjetër rrezik, përveç atij të shëndetit që buron nga ky ves: preferenca për cigaren mund t’u kushtojë tani edhe vendin e punës.
Një sërë spitalesh dhe biznesesh mjekësore në shtete të ndryshme amerikane kanë nisur të adoptojnë politika të rrepta, të cilat e bëjnë pirjen e duhanit një arsye për të refuzuar aplikimet për punë.
Lëvizja argumentohet me faktin që kërkohet rritje e produktivitetit të punonjësve, reduktim i kostos së kujdesit shëndetësor si dhe inkurajimi i një jetese më të shëndetshme.
Politikat e reja reflektojnë në dukje shqetësimin se përpjekjet e deritanishme si ndalimi i duhanpirjes në institucione, programet që ndihmojnë në lënien e duhanit apo dhe bonuset shëndetësore, nuk po japin efektin e dëshiruar.
Rregullat e reja e trajtojnë praktikisht cigaren si një lloj droge të paligjshme.
Aplikimet e punës paralajmërojnë tani hapur për marrjen në punë të personave që pijnë duhan, duke nxitur një debat aq të madh, sa edhe vetë grupet kundër duhanit po i shohin të tilla iniciativa si preçedent shqetësues i ndërhyrjes në jetën private, duke ndaluar në këtë mënyrë një ves mëse të ligjshëm.
Nuk dihet më saktësisht sa janë bizneset që e kanë adoptuar një praktikë të tille, por politikat në fjalë po marrin gjithmonë e më shumë trajtat e një tendence e madje disa gjykata shtetërore kanë mbështetur ligjshmërinë e refuzimit të punonjësve duhan-pirës.
Top Channel