Të çmendur pas të huajve

08/02/2011 18:55

Dashuria e shqiptarëve për futbollin ka bërë që në vendin tonë të kriojhen shoqatat e tifozëve të ekipeve të huaja.

Historia e tyre është e re, ashtu siç është i ri edhe pasioni dhe mundësia për të ndjekur ecurinë e ekipeve të mëdha nga sportdashësit tanë.  Një nga shoqatat e tifozëve ishte “Inter Klub Tirana”, grupim i interistëve në Tiranë, që drejtohet nga Uvil Zajmi.

“Klubi i tifozëve të Interit u krijua si pasojë e një dëshire për të pasur një shoqatë siç e kanë edhe vendet e tjera ku klubet përfaqësohen nga klubet e tyre të tifozëve”, thotë Zajmi.

Tifozët janë cilësuar si “lojtari i 12” për një skuadër futbolli. Por tifozët shqiptarë të ekipeve të huaja, kënaqen me më pak. Dëshira për të parë ekipet e tyre të zemrës duke luajtur përmes ekranit është pjesa më e madhe e aktivitetit që kryejnë ata. Pjesa tjetër kufizohen në kontakte në distancë me kolegët e huaj.

“Si pikë referimi kemi qendrën e koordinimit pranë Milanos dhe njeriu që drejton këtë qendër na krijon mundësinë për të krijuar raporte me shoqatat e tjera”, sqaron Zajmi.

Për të qenë pjesë e një shoqate tifozësh duhet të kontribuosh edhe në aspektin ekonomik. Kjo shumë varion nga 10 deri në 12 euro. Thuhet se tifoz i një ekipi të caktuar bëhesh, por ka nga ata që mendojnë se tifozët lindin të tillë.

“Një tifoz i Interit që në momentin kur lind është interist”, shprehet një tifoz i ekipit zikaltër.
Për të drejtuar një shoqatë tifozësh në vendin tonë nuk është shumë e lehtë. Mungesa e ambienteve, por shpeshherë edhe e fondeve ka bërë që tifozat të mos kenë një vend të caktuar ku të ndjekin ndeshjet e ekipit të tyre.

Por nuk janë vetëm tifozët e Interit që kanë një shoqatë. Rivali i përjetshëm i tyre “Milani”, ka gjithashtu një shoqatë tifozësh në Tiranë. E njohur me emrin “Franco Baresi” shoqata e tifozëve të Milanit është krijuar në vitin 1994, e drejtuar nga Sabri Bejleri.

“Morëm shkas nga fitorja e Milanit në 1994 në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Barcelonës dhe vendosëm të krijonim shoqatën e tifozëve Barezi”, shprehet Bejleri.

Megjithë emrin e madh që mban, aktiviteti i kësaj shoqate nuk ka qenë i tillë. Mungesa e fondeve ka bërë që shumë projekte të kësaj shoqate të dështojnë, e për të cilat nuk ka ndonjë plan se kur mund të realizohen. Për tifozët vendet e vetme që mund të shërbejnë për të parë ekipet e tyre të zemrës duke luajtur janë llotot.
 
“Donim të sillnim vetë Barezin në Shqipëri, por nuk kishim fonde”, shton kryetari I shoqatës “Franco Baresi”.

Dashuria për futbollin ka bërë që sot të jetë sporti më popullor në botë. Tifozët janë të moshave nga më të ndryshme. Fëmijët në ditët e sotme janë gjithnjë e më të apasionuar pas ekipeve të futbollit. Përveç ekipit, ata kanë edhe lojtarët e tyre të preferuar.

Megjithëse futbollistët nuk i qëndrojnë gjithmonë besnik një skuadre të caktuar, janë tifozët ata që nuk e tradhëtojnë kurrë ekipin e tyre të zemrës edhe kur fiton edhe kur humbet.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel