Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ka deklaruar në një dalje për mediat, së bashku me avokatin e tij Petrit Serjani, se nga konkluzionet e ekspertizës së videos së transmetuar në TCH ka rezultuar se ajo ishte e montuar.
“Nga konkluzionet e dhëna nga ekspertët… në sekuencat filmike të shfaqura nga Top Channel ku shfaqen dy persona… janë konstatuar montime televizive me zë dhe figurë. Ka përsëritje disa herë të bisedave. Nuk qartësohet konteksti i bisedës për shkak të prerjes së saj dhe ka mospërputhje të shumta”, është shprehur Serjani.
Megjithatë avokati i kreut të LSI-së i është referuar vetëm videos së transmetuar në “Fiks fare” dhe jo asaj origjinale të dorëzuar nga Dritan Prifti në Prokurori, të cilën Meta e ka cilësuar si të rëndësishme për hetimin.
“Ekspertiza e bërë e bën të qartë atë që kam thënë që më parë: Një montim televiziv i porositur nga Edi Rama. Ekspertiza e cila është e standardeve ndërkombëtare, ligjore dhe e çertifikuar, tregoi shumë qartë se videoja e paraqitur ishte një masakër nga ana profesionale televizive. Duke bërë manipulime skandaloze përsa i takon zërit, duke patur një mospërputhje midis dëgjimit dhe titrave të paraqitura, duke patur fshirje të shumta të bisedës që kanë qenë të qëllimshme”, tha Meta.
“Ekzistenca e origjinalit do të ndihmojë proçesin, për të vërtetuar montimet televizive”, theksoi Meta.
Ish numri dy i qeverisë ka kërkuar nga Prokuroria përshpejtimin e hetimit mbi këtë çështje duke deklaruar se për këtë janë të gjitha mundësitë teknike dhe profesionale.
“Ka gati dy muaj që ka kaluar kur ajo është bërë publike dhe mendoj se proçesi i hetimit ka ecur me hapin e breshkës, sepse mendohet se janë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që të konfirmojnë saktësinë e çdo gjëje dhe akuzave të ngritura”, tha Meta.
“Kërkoj përshpejtimin e proçesit të hetimit i cili është shumë i rëndësishëm edhe për vetë kredibilitetin e Prokurorisë. Nuk bëj presion ndaj Prokurorisë për këtë çështje dhe kam kërkuar bashkëpunim me të. Por asnjë nuk mund ta zvarrisë këtë proçes dhe Prokuroria nuk duhet të lejojë asnjë të flasë në emër të saj”, theksoi Meta.
Top Channel