Shqiptarët, rehati apo art në shtëpitë e tyre?

03/02/2011 19:25

Arredimi i shtëpive, si një prej elementeve kryesore të rehatisë së njeriut, u vendos në qendër të vëmendjes nga emisioni i pasdites në Top Channel.

Tendenca aktuale është ajo e largimit prej elementeve klasikë dhe mobilimit të ambienteve tona me detaje të depërta.

”Shtëpitë klasike kërkojnë më shumë detaje, ndërsa ato moderne janë shumë më të thjeshta për t’u realizuar”, thotë Rea, një nga arkitektet e arredimit të shtëpive në Shqipëri.

”90% e njerëzve janë të interesuar që shtëpitë e tyre të jenë sa më pak të ngarkuara me mobilje, sa më praktike dhe sa më të pastra. Ndërsa ngjyrat e preferuara janë ato të lehtat”.

Modernizmit është prirja kryesore e familjarëve dhe çifteve të reja. Artan Asllani, pronari i një mobilierie, na tregon më shumë për idetë dhe se çfarë kërkojnë realisht klientët kur i drejtohen atij.

”Klientët vijnë me ide të qarta këtu”, thotë ai. “Ne bëjmë projektin sipas kërkesave të tyre dhe bëjmë një skicë të pamjes përfundimtare që do të ketë shtëpia. Sot, gama e produkteve është shumë e gjerë dhe secili mund të gjejë produktet e dëshiruara.

Në fund të punës, blerësit bëjnë krahasimin mes asaj që ne i kemi paraqitur në fillim dhe asaj që kemi arritur në fund. Rreth stilit, janë grupmoshat e njerëzve të moshës së mesme ata që kanë më shumë prirje klasike”.

Ka nga ato familje që i kalojnë dy shinat kryesore të modelimit të shtëpisë dhe shkojnë drejt orientales apo traditës. Ata duan të renë, por pa harruar ndërthurjen e tyre me elementë të klasikes dhe tradicionales.

Erisa Zeqja, së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj, është pjesë e këtij përjashtimi, që i bën ata të ndiehen të veçantë dhe komodë.

“Ne kemi zgjedhur të kemi një shtëpi të arreduar në mënyrë orientale dhe deri tani ka qenë e përshtatshme, por do të doja disa ndryshime si një hapësirë më të madhe, pasi tashmë kjo nuk është dhe aq komode”, thotë Erisa.

”Në fakt, nuk u konsultuam me asnjeri për ndërtimin në këtë mënyrë të shtëpisë sonë. I porositëm mobiljet duke u bazuar eksluzivisht në gustot tona të përbashkëta”.

Konkretisht, Erisa është në gjendje që të tregojë disa nga pjesët që ajo do të dëshironte të ndryshonte konkretisht. “Nuk e di përse pallatet vazhdohen të bëhen me kollona të shumta, të cilat të prishin strukturën dhe duket që shtëpia të duket shumë e vogël.
Një ditë vajzën e kishin pyetur një ditë në shkollë se çfarë do të donte, diçka që nuk e ka. Ajo ishte përgjigjur se unë mamin e kam, babin po, një motër që e kërkova ma bënë, tani dua vetëm një ballkon dhe një banjë më të madhe”.

Megjithatë, një element të veçantë që përbën thelbin e të gjithë arredimit na e tregon arkitektja e brendshme Rea, një ndër specialistet e pakta të kësaj fushe në kryeqytet.

”Karakteri i njerëzve është elementi më i rëndësishëm në një mobilim shtëpie sepse kjo ndikon direkt në humorin dhe mënyrën e tyre të jetesës”, thotë ajo.

”Përpara se të vendosim se cila do të jetë shtëpia e re, pyesnim klientët tanë se ku kanë jetuar më parë dhe si janë rritur, pasi të gjitha këto ndikojnë në mënyrën se si do të ndihen në shtëpinë e re”.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA