Rikthimi i “kohëve të arta” në Shqipëri

03/02/2011 19:00

Në një kohë ku transfertat dhe veprimet e tjera bankare kanë bërë që askush të mos mbajë më shuma të mëdha parash në shtëpi, ka nga ata biznesmenë që preferojnë të konvertojnë pasurinë e tyre në monedha e sende të tjera ari.

Emisioni i pasdites në Top Channel u ndal pikërisht tek rëndësia e arit, që pavarësisht kalimit të shekujve, asnjëherë nuk e ka humbur vlerën e tij.

Në antikitet dhe mesjetë, atëherë kur kartmonedhat nuk njiheshin, ari ishte sendi më i çmuar dhe monedhat e floririt një luks që i përkisnin të pasurve.

Me hyrjen e kohëve moderne, ndërsa monedhat e tilla filluan të hiqen nga tregu, lindi edhe mania e gërmimeve, për gjetjen e thesareve të groposur prej kushedi sa kohësh.

Flamuri është një biznesmen që prej kohesh ka vlerësuar metalin e çmuar. Një pjesë të depozitës së tij, ai e shndërron rregullisht në ar.

”Investimi në flori është i sigurtë, pasi asnjëherë nuk i bie vlera. Pashallarët e dikurshëm kanë bërë gjënë më të zgjuar duke grumbulluar qypa me ar”, thotë Flamuri.

”Ky lloj investimi të lejon të jesh i qetë nga luhatjet e vazhdueshme të monedhave në bursa. Mua nuk më prek zhvlerësimi i asnjë monedhe”.

Monedhat e floririt apo të argjendit nuk njohin kufijtë e shteteve. Ndryshe nga sa ndodh me kartmonedhat, ato janë të konvertueshme në të gjithë botën.

Lingotat apo shufrat me flori tërësisht të pastër ruhen në kasaforta bankare, me pesha që variojnë nga një gram, deri në 1 kilogramë një lingotë.

Një lingotë prej 100 gramësh, me pastëri 99,9%, ofrohet nga banka me 3 650 euro. Teorikisht, edhe monedhat prodhohen mbi bazën e rezervave të arit dhe rezervave të tjera të çmuar, por ndryshe nga kartmonedhat, një lingotë nuk mund të zhvlerësohet kurrë.

Lingotat ofrohen në pllaka të florinjta, por kur janë në përmasa të vogla mund të përdoren edhe si bizhu. Ka teori të ndryshme për % që duhet të investohet në ar, por arsyet jane të pandryshueshme. Ari mbetet në çdo rrethanë një pasuri e vlefshme, në gjendje për t’u transportuar lehtë.

”Ndonëse i njohim qypat e arit nga gjyshërit tanë, ata nuk janë më aktualë dhe duket se koha e tyre ka kaluar”, thotë një punonjëse banke.

”E vërteta është që sot, të gjitha tratativat bëhen me monedha si lekë, euro apo dollarë. Nuk ka shumë njohuri për investimet që mund të bëhen në ar.

Megjithatë, nëse investimi në monedha është i rrezikshëm për shkak të ndryshimit të kursit, ari ka treguar se asnjëherë nuk zhvlerësohet, madje ai vjen gjithmonë duke u vlerësuar”.

Për njerëz të pasuri si Flamuri, monedhat e arta dhe të argjendta janë edhe një dhuratë e preferuar për të dashurit e tij.

”Gjatë festave të fundvitit, kam bërë shumë monedha të arta dhuratë. Ajo është një dhuratë që mbetet në kohë dhe nuk prishet siç ndodh me dhuratat e tjera”, thotë Flamuri.

”Ari i gjendshëm në argjendari nuk është i njëjtë me këtë. Në masën 99% i pastër, ai është i gjendshëm vetëm në sistemin bankar dhe është tërësisht i çertifikuar”.

Ndërkohë, shumica e këtyre monedhave vijnë me stampën e personazheve apo periudhave të rëndësishme historike, duke u shndërruar në një pasion të veçantë edhe për koleksionistët në të gjithë botën.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA