Brazil, banesa falas të përmbyturve

28/01/2011 21:05

Qeveria braziljane ka vendosur të ndërtojë 8 mijë banesa të cilat do t’i jepen falas viktimave të përmbytjeve më të mëdha në historinë e vendit.

Presidentja Dilma Roussef, tha se pjesa dërrmuese e këtyre shtëpive, me saktë 6 mijë prej tyre, do të paguhet nga shteti.

Ndërsa 2 mijë të tjera do të dhurohen nga një konsorcium kompanish ndërtimi.

“Dhimbja e njerëzve të prekur nga kjo fatkeqësi është shumë e madhe dhe humbjet e tyre nuk kanë çmim, por mendoj se iniciativa jonë mund t`ua përmirësojë sadopak situatën”, është shprehur Roussef.

Vërshimet e papreçedentë të ujrave në veri të Rio de Zhaneiros dhe rrëshqitjet e tokës në rajoni, morrën më shumë se 830 jetë njerëzish, ndërsa 540 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Kryetarja e shtetit premtoi investime të mëdha si dhe masa për parandalimin e fatkeqësive të tilla në të ardhmen.

Një prej këtyre masave është krijimi i hartave për zonat më të rrezikuara nga vërshimi i ujrave dhe rrëshqitjet e dheut, ku autoritetet do të ndalojnë rreptësisht çdo ndërtim.

Tre ditë zije u shpallën nga presidentja për viktimat e përmbytjeve të këtij muaji në Brazil.

500 milionë dollarë u premtuan për ndihmën e emergjencës në zonë dhe për proçesin e rindërtimit.

Top Channel