Protestat e opozitës në Egjipt

26/01/2011 12:10

Policia egjiptiane përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për t’i dhënë fund protestave të rralla në kryeqytetin e vendit Kajro, të frymëzuara nga rebelimi popullor në Tunizi.

Dy civilë dhe një polic u vranë gjatë të ashtuquajturës “ditë e revoltës” për organizimin e së cilës qeveria fajësoi një lëvizje të ndaluar opozitare.

Mëngjesin e sotëm, njerëzit filluan të mblidhen përsëri në qendër të Kajros.

Por nuk ka shenja të pranisë së madhe policore që mbush zakonisht rrugët kur priten demonstrata.

Protestat si ajo e së martës janë një fenomen i pazakontë në Egjipt ku presidenti Hosni Mubarak qeveris që prej 1981-shit, me tolerancë të vogël për disidentet.

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje qeverisë egjiptjane ta lejojë zhvillimin e protestave, duke e përshkruar situatën si “një mundësi të jashtëzakonshme” për vendin.

Reagime pati edhe nga Franca. Ministrja e Jashtme franceze, Mishel Aliot Mari shprehu keqardhjen e thellë për jetët e humbura, por shtoi se është e rëndësishme që në të gjithë vendet anembane botës, demokracia të inkurajohet.

Demonstratat e së martës u koordinuan nëpërmjet FB, ku organizatorët thanë se në këtë mënyrë po marrin një qendrim kundër varfërisë, papunësisë dhe korrupsionit.

Tubimi, do të shënonte, sipas tyre, fillimin e fundit.

Numri i njerëzve të mbledhur në sheshin Tahrir të kryeqytetit, rezultoi edhe më i madh nga sa kishin shpresuar ata.

Zemërimi i turmës u fokusua mbi presidentin Mubarak, “një burracak”, siç thanë protestuesit që kërkuan largimin e tij duke u zotuar njëkohësisht të dalin nëpër rrugë, deri në rrëzimin e qeverisë.

Zhgënjimi ka hedhur rrënjë thellë në shoqërinë egjiptjane, ku njerëzit përballen me probleme të ngjashme me ato të Tunizisë, rritjen e çmimit të ushqimeve, papunësinë, nivelin galopant të korrupsionit.

Por në ndryshim nga e para, këtu niveli i arsimimit është shumë i ulët, ashtu siç është edhe mundësia për përdorimin e internetit.

Përgjatë tre dekadave të sundimit të Mubarakut, Egjipti konsiderohet se ka humbur pushtetin, statusin dhe prestigjin në rang ndërkombëtar.

Top Channel