Obama kërkon mbështetje

26/01/2011 13:40

Fjalimin e dytë drejtuar kombit, presidenti Barak Obama e shfrytëzoi për t’i drejtuar partive një apel bashkëpunimi në Kongresin e përçarë amerikan, për të shpalosur qëllimet e tij për mbarëvajtjen e vendit si dhe për të bërë thirrje për investime, hulumtime, zhvillim dhe infrastrukturë.

“Duhet ta bëjmë Amerikën vendin më të mirë në botë për biznes. Duhet të marrim përgjegjësi për defiçitin dhe për të reformuar qeverinë. Kështu populli ynë do të përparojë. Kështu do ta fitojmë të ardhmen”, është shprehur Obama.

Ai tha se duhet kaluar në veprim për shkurtimin e defiçitit e për t’i bërë ballë sfidave që vijnë nga konkurentë të rinj si Kina e India.

Pas reçesionit më të rëndë që shumë prej nesh kanë parë ndonjëherë, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, Amerika tani është në rrugën e progresit.

Republikanët paralajmërojnë se do t’i hedhin poshtë thirrjet për rritje të shpenzimeve, si mënyra e vetme për të zbutur barrën mbytëse të borxhit.

Megjithatë, në një ndryshim të qartë nga tradita e deritanishme, shumë rivalë demokratë dhe republikanë ishin ulur bashkë në sallë për të dëgjuar fjalimin e presidentit, ndryshe nga sa është bërë deri tani, kur uleshin të ndarë.

Gjesti synon të demonstrojë unitet në mesin e debateve të ndezura pas episodit të Arizonës, ku u plagos rëndë tre jave me parë ligjvënësja demokrate Gabrielle Giffords.

“Pas zgjedhjeve të nëntorit – tha Obama, – pergjegjësinë e qeverisjes e ndajnë të dyja partitë dhe populli kërkon prej tyre bashkëpunim”.

Për Obamën, rregullat kanë ndryshuar me përparimet teknologjike, rritjen e kombeve si India dhe Kina dhe atë që e quajti “eksportim të vendeve të punës jashtë kufijve”.

“Brezi ynë – vazhdoi ai, – ndodhet në një moment kyç si në kohën e Sputnikut, duke rikujtuar kështu sesi sovietikët ua kaluan amerikanëve më 1957 me dërgimin e satelitit në hapësirë, por se investimet amerikane më vonë e bënë të mundur që Shtetet e Bashkuara të fitonin garën e zbritjes në hënë”.

Top Channel