Meksika deklaron progres në luftën ndaj mafias

26/01/2011 16:30

Autoritetet meksikane do të vazhdojnë luftën ndaj kartelit më të madh të drogës në vend, të quajtur La Familia, ndërsa besojnë se klani vazhdon të dobësohet dhe të jetë në tërheqje që prej vrasjes së liderit mafioz një muaj më parë.

Në deklaratën e bërë nga një zëdhënës i Meksiko Sitit, u dhanë shifra inkurajuese të luftës së përgjakshme me bandat e drogës. Komentet e tij erdhën pas disa raporteve të pakonfirmaura për largimin e bandës nga disa prej pikave të konsideruara si bastione të sigura për të.

La Familia, e cila pretendon se mbron vlerat familjare dhe se është detyruar të luftojë për t’u mbrojtur, është fajtore e disa shfaqjeve të tmerrshme të dhunës.

Lideri i klanit mafioz, Nazario Moreno, mbeti viktimë e shkëmbimit të zjarrit me policinë gjatë dhjetorit, ndërsa disa figura të tjera të larta të grupimit janë arrestuar apo vrarë. 34 mijë persona kanë vdekur në tre vitet e fundit në Meksikë, si pasojë e luftës së shtetit kundër organizatave mafioze.

Top Channel