Medvedev hap forumin e Davosit

26/01/2011 22:45

Mbi 2500 përfaqësues të bizneseve të fuqishme globale dhe liderë botërore u mblodhën në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në forumin e përvitshëm ekonomik.

Hapjen e “Forumit Ekonomik Botëror” e bëri presidenti rus Dmitri Medvedev. Medvedev në fjalën e tij u përqendrua tek sulmet terroriste të së hënës në aeroportin e Moskës ku 35 persona humbën jetën. Ai tha se me këtë akt, terroristët shpresonin që të anulonin pjesëmarrjen e tij në forumin e Davosit.

“Burracakët që sulmojnë civilët synonin që me aktin e tyre të gjunjëzonin Rusinë, të na vendosnin në pozicion mbrojtje. Ata, vec të tjerave, prisnin dhe shpresonin që presidenti i Rusisë të mos udhëtonte dhe të merrte pjesë në këtë forum. Kjo ishte ‘pse-ja e përzgjedhjes së kohës dhe vendit të sulmit”, tha Medvedev.

Por ata i bënë llogaritë gabim, tha Medvedev duke vijuar se Rusia e di tashmë vendin, rolin dhe përgjegjësitë e saj në botë.

Medvedev, më herët në ditën e sotme shkarkoi disa nga drejtuesit kryesore të aeroportit të Moskës ku ndodhi sulmi kamikaz i ditës së hënë.

Top Channel