Kërcënon kriza e cmimeve

26/01/2011 17:10

Shqipëria po ndjen presionet e para të një krize të përbotshme ushqimesh, e shndërruar këto ditë në një nga cështjet më të mprehta të ekonomisë botërore.

Në dhjetor cmimet e konsumit në tregun e brendshëm u rritën zyrtarisht me 2.1 për qind krahasuar me nëntorin, rritja më e madhe mujore në 7 vitet e fundit.

“Zhvillimet në tregjet kombëtare janë një shqetësim i rëndësishëm, kjo po bëhet në nivel global dhe duke prekur vendet në zhvillim. Kjo nisi në vitin 2007 dhe fakti që po dalin sërish në skenë ne duhet të përgatitemi për sfida globale”, deklaron eksperti Selami Xhepa.

Bota po shkon në një situatë të ngjashme më krizën e vitit 2007. Edhe këtë herë rritja e cmimeve po udhëhiqet nga ushqimet dhe energjia, dhe ky fakt bën që vendet më të rrezikuara të jenë ekonomitë në zhvillim si Shqipëria.

“Në strukturën e të ardhurave të tyre, shumica e buxhetit të familjeve shkon për mallra konsumi, ndryshe nga sa ndodh në vende si SHBA. Efekti social i këtyre masave është shumë i ndryshëm. Situata ka nevojë për reagim edhe në Shqipëri”, thekson Xhepa.

Selami Xhepa, pedagog i Ekonomikut dhe deputet i maxhorancës, propozon ndërhyrjen e autoriteteve, por me një skemë krejt ndryshe nga ajo që është përdorur deri tani.

“Indeksimi vetëm në të ardhura do fuste Shqipërinë në një cikël negativ. Kalimi me kompensimin për mallrat ushqimorë është një praktikë e njohur dhe unë mendoj se do të ishte e mirë”, shton ai.

Shefi i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë në Kombet e Bashkuara deklaroi se bota është drejtuar tashmë drejt një krize të sigurtë ushqimesh, e cila mund të shoqërohet me trazira sociale në mbarë globin.

Monitori i Europës në Zhvillim, një organizatë kërkimesh dhe studimesh, parlajmëroi se në Shqipëri ekziston rreziku që tensionet politike të rëndohen edhe më tej nga kriza e cmimeve.

Top Channel