Egjipt, përleshet policia me protestuesit

26/01/2011 18:15

Policia egjiptiane u përball për të dytën ditë radhazi me protestuesit antiqeveritarë, ndërsa nuk ka ende raportime për të vdekur, bënë të ditur mediat ndërkombëtare gjatë pasdites.

Policia ndërpreu me forcë demonstratat në Kajro dhe në Suez, dy qytete ku një ditë më parë humbën jetën tre persona, njëri prej të cilëve polic.

Ndërkohë, autoritetet bënë me dije se më shumë se 500 persona janë arrestuar për pjesëmarrjen e tyre në këto protesta ilegale. Shpërthimi i demonstratave të fuqishme në Tunizi, më parë gjatë muajit, shkaktoi largimin e qeverisë së mëparshme dhe krijimin e një spiraleje protestash në botën arabe.

Ndërkohë, autoritetet e Kajros siguruan se kushdo që do të dalë në rrugë për të protestuar, do të arrestohet. Egjipti drejtohet që prej vitit 1981 nga presidenti Mubarak.

Top Channel