Putin: Rusia do të hakmerret ashpërsisht

25/01/2011 18:00

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se terroristët që organizuan masakrën e aeropoertit të Moskës do të përballen me hakmarrjen më të ashpër të shtetit, në fjalën e mbajtur prej tij në Këshillin e Ministrave.

Një sulm kamikaz shkaktoi vrasjen e 35 personave dhe plagosjen e më shumë se 150 të tjerëve, që ndodheshin në hollin e bagazheve, një ditë më parë. Organizatat terroriste të Kaukazit të Jugut janë bërë përgjegjëse për këtë sulm.

”Krimi është mizor dhe i pashpirt”, deklaroi Putin. “Nuk kam as dyshimin më të vogël që përgjegjësit do të përballen me hakmarrjen e shtetit dhe njerëzve të Rusisë, ndërsa dëmshpërblimi për të dëmtuarit është i pashmangshëm.

Gjithçka duhet bërë për të ekspozuar dhe për të nxjerrë ata kriminelë barbarë që organizuan këtë sulm përpara Gjykatave. Është e domosdoshme që rrënjet e kësaj organizate dhe e të tjerave që planifikojnë sulme të ngjashme të likuidohen përfundimisht”.

Në fjalimin e mbajtur në mëngjes, Presidenti Dmitry Medvedev, u shpreh kritik edhe ndaj organeve të mbrojtjes apo shërbimeve sekrete, për pamundësinë e tyre në parandalimin e sulmit.

Sulmet e organizatave terroriste separatiste nuk janë një fenomen i rrallë në Rusi. Rasti më i rëndë ndodhi në 3 shtator 2004, kur 331 persona, shumica e të cilëve fëmijë, mbetën viktimë e shkëmbimit të zjarrit midis terroristëve çeçenë dhe forcave speciale, në pengmarrjen e një shkolle në Beslan, në Kaukaz.

Top Channel