Raporti i Marty-t, provat e gënjeshtrës

24/01/2011 21:00

Fushë Kruja është treguar me gisht në raportin e Dick Marty-t si destinacioni kryesor, ku gjatë luftës së Kosovës kryhej një trafik i mirëorganizuar organesh, në të cilin ishin të lidhur njerëz me poste drejtuese në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshi Kryeministri Hashim Thaçi.

Rrëmbime, tortura, vrasje e trafik organesh me destinacion Turqinë, kjo ndodhte sipas reporterit të Këshillit të Europës në bazën fantazmë të kësaj zone. Por, përtej spekulimeve të zviceranit, cilat janë të vërtetat e fshehura në Fushë Krujë?

Veç përshkrimeve horror, të ndara në pika të veçanta në raportit, deputeti zviceran Dick Marty nuk jep asnjë të dhënë tjetër për vendodhjen e bazës apo shtëpisë që ai identifikoi si qendra e trafikut ilegal të organeve.

Qyteti i Fushë Krujës është elementi i vetëm gjeografik i ofruar, nga ku detyrimisht nisën edhe kërkimet e kronikës së “Shqipëria Tjetër”, transmetuar në fundin e edicionit të lajmeve të prës 19:30.

Dashamir Çela, ish-Kryetar i Bashkisë Fushë Krujë në vitet 1996-2000 ishte dëshmitari i parë. “Për akomodimin e tyre ishim të papërgatitur, megjithatë arritëm e kapëm situatën shumë shpejt e krijuam dy kampingje, një në qytet dhe një në ish-Institutin e Foragjerëve, një ndërmarrje kombëtare”.

Mes të dhënave të shumta për menyrën e funksionimit dhe organizimit të strukturave të asaj kohe për t’iu përgjigjur emergjencës kosovare, ish-Kryetari i Bashkise kujtoi edhe elementët e sigurisë, përmes të cilëve ruhej komuniteti i gjerë i të ardhurve.

“Njëkohësisht, në këto pika të grumbullimit kishim vendosur dhe roje, civilë dhe të armatosur, efektiva të rajonit te policisë Fushë Krujë”.

Në ish-magazinat e grumbullimit, sot të kthyera në germadhë, qëndronte një numër i madh të ardhurish, të cilët u sistemuan atje gjatë muajve të luftës.

Megjithatë, pozicioni ku ndodhet vendi e bën të pamundur aktivitetin e paligjshëm të ndërrimit të organeve. Jo vetëm që nuk ekzistojnë konditat bazë, por magazinat janë vetëm 300-400 metra nga qendra e qytetit, në mes të një zone të banuar.

Pista e dytë është edhe më zhgënjyese se e para. Ish-Instituti i Foragjerëve, është një godine moderne, ndërrmarje shtetërore dhe e tillë ka qenë edhe në vitin 1999.

Disa ambjente të institucionit iu hapën familjeve kosovare, ndërsa në pjesen tjetër ishin zyrat ku ende edhe sot punon administrata e Institutit.

Një dëshmitar i dytë, Engjëll Çollaku, banor dhe drejtues i rëndësishëm lokal, theksoi se në Fushë Krujë nuk kanë qëndruar trupa të UÇK-së dhe aq më pak ka patur shtëpi me robër, siç pohohet në raport.

”Fushë Kruja është një vend i hapur dhe atëherë ka patur shumë levizje”, deklaroi Çollaku. “Nuk ka patur njerez të huaj, qoftë civilë, qoftë ushtarakë kosovarë”.

Pas pamundësisë për të mos gjetur asnjë gjurmë në Fushë Krujë, grupi i xhirimit u spostua në fshatin me emrin Derven. Pjesë e komunës Thumanë, në vitin 1999, rreth 1 200 kosovarë u sistemuan atje.

Vat Gjokeja, banor i zonës dhe ish-rojtar i godinës ku ishin sistemuar pjesa më e madhe e kosovarëve, kujtoi: “E kalonim kohën me futboll, me të ngrëna dhe biseda. Nuk ka patur asnjë rob lufte këtu, asnjë i huaj nuk hynte dhe nuk dilte”.

Gjokeja ka punuar në atë periudhë gjithmonë në turnin e dytë, i cili niste në gjashtë pasdite dhe përfundonte në gjashtë një mëngjes. Një tjetër polic i armatosur kryente turnin tjetër.

”Nuk ka patur të ardhur nga Serbia. Asgjë s’është e vërtetë nga ato që këtu, gjoja paskan marrë zemra, mëlçi e organe të tjera njerëzve”, shtoi Gjokeja.

Dëshmia tjetër vjen nga personi që në ‘99 mbante postin e përgjegjësit të emergjencës kosovare në këtë ish-repart ushtarak. “Unë nuk kam kontaktuar me ushtarë të UÇK-së, por vetëm me familjarë të traumatizuar, që vinin pothuajse të mbaruar”, tha Pëllumb Roshi.

Vetem 50 metra largësi nga qëndra e Dervenit, shtrihet kisha katolike e këtij fshati, e drejtuar nga prifti italian Carmine Leuzzo, i cili ka qenë atje edhe gjatë konfliktit të Kosovës.

At Carmine Leuzzo, në një bisedë telefonike dëshmoi se nuk ka dijeni për grupe të ushtarëve të UÇK-së apo personave të tjerë të armatosur që lëviznin në zonë në atë kohë.

Një burim i fundit i referuar nga media serbe dërgoi grupin e xhirimit në fshatin Buraj të komunës Nikël, në Fushë Krujë.

30 minuta nga rruga kryesore ndodhet shtëpia në të cilët supozohej se kryhej heqja e organeve dhe ruajtja e tyre në qese me akull. Familjarët që banojnë sot në atë vendbanim, e cilësojnë si një gënjeshër të madhe raportin.

 “Fshati ynë është shumë i thellë dhe këtu nuk erdhi asnjë kosovar”, deklaroi djali i shtëpisë. “Nëse ndonjë familje do të kishte marrë kosovarë për t’u përkujesur, atëherë është e sigurt se të gjithë do ta kishin mësuar ngjarjen”.

Të bazuara në raportin e Dick Marty-t, kërkimet tona, edhe pse me dëshmitarë kryesorë të kohës, dështojnë për të gjetur qoftë edhe një element të përafërt me pohimet e tij.

Në raportin e tij, Marty pati shkruar se një pjesë e trafikimit kalonte nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Se si kjo mund të ndodhte, në një kohë kur aeroporti kontrollohej prej forcave të NATO-s, Marty nuk ka mundur ta shpjegojë ende.

Top Channel