Nis në Kukës projekti bujqësor

21/01/2011 08:40

Në Qarkun e Kukësit do të nisë në ditët e ardhshme zbatimi i skemës së një programi të ri për mbështetjen e bujqësisë, që synon konkretisht shtimin e sipërfaqeve të mbjella me pemë të ndryshme frutore.

Gjatë takimit të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, u theksua fakti se këtë vit do të punohet shumë për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, duke i dhënë asaj një profil modern dhe konkurrues në treg.

Programi kombëtar i ullirit dhe i kulturave të tjera frutore si, arra, gështenja, lajthia, bajamja dhe shega, siç u tha në takim, do të shtrihet në çdo fshat të vendit, ku për rastin e Kukësit përbën një farë mënyre edhe një rikthim në identitet, pasi disa dekada më parë shumë zona të qarkut kanë qenë të dalluara pikërisht për pemët frutore dhe vreshtat.

I pranishëm në aktivitet, zv/ministri i Bujqësisë, Tokli Thomaj, tha se, krahas stimujve për ngritjen e plantacioneve me pemë frutore, do të mbështetet fuqishëm edhe blegtoria dhe agropërpunimi.

Nga viti 2007 e në vazhdim është investuar përmes dhjetëra projekteve në 26 komuna të Qarkut të Kukësit ku janë ngritur 241 hektarë me pemëtore dhe 32 hektarë me vreshta.

Vlen të theksohet se në tërësinë e këtyre projekteve 7 prej tyre janë zbatuar tashmë në teknologjinë e ujitjes me pika, çka përbën një arritje të bujqësisë tradicionale të zonës. Gjithashtu janë realizuar edhe 70 projekte në bletari dhe rreth 370 projekte në blegtori.

Numri dy i dikasterit të bujqësisë tha se mbështetja ndaj fermerëve do të vazhdojë gjithashtu edhe për serat, blegtorinë tradicionale, bujqësinë bio, futjen e teknologjive moderne në prodhim etj.

Top Channel