Rama: Demonstrata, jo për pushtet

20/01/2011 23:05

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, kreu i socialistëve, Edi Rama, ritheksoi edhe njëherë se demonstrata e ditës së nesërme nuk bëhet për marrjen e pushtetit, por për t’i rikthyer këtij vendi lirinë e të drejtat themelore.

“Ne kemi krijuar mundësinë për të gjithë. Nuk është demonstrata për të marrë pushtetin, kjo është demonstratë për t’i rikthyer këtij vendi lirinë e të drejtat themelore, zgjedhje të reja dhe zgjidhje të re politike. Ky popull nuk pranon dot qeverisjen nga kusarë e matrapazë që kapen gafil. Ky është kulmi që me këtë lloj makinacioni tregon se ka një projekt të papërputhshëm me atë të integrimit europian, atë të kthimit të këtij vendi në një mbretëri ku Sali Berisha të jetë mbret. Shqipëria sot është mbytur nga plehrat dhe ka vetëm një landfild të standarteve normale në Korcë e një në Tiranë”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh i vendosur për largimin e qeverisë. Ai tha se Sali Berisha do të pranojë zgjidhjen e re politike.

“Do largojmë Saliun, do ta largojë populli Saliun ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, atë politike. Nuk mund të kapërcehen më gjithë këto bëma, zullume, poshtërsi, pabesi ndaj një popull të tërë, këto nuk kanë të bëjnë më me opozitën”, shtoi Rama.

Vendi, sipas Ramës, është kapur nën kthetrat e krizës ekonomike, kriminalitetit e papunësisë. Rama refuzoi të përdorë termin “rrëzim të qeverisë”, pasi siç theksoi ai në këtë sistem që kemi zgjedhur, qeveria nuk rrëzohet, por largohet e i bëri thirrje kreut të mazhorancës e kryeministrit Berisha që të vërë në dispozicion vullnetin e tij për një zgjidhje të re që do të pasohet me një qeveri të re.

“Qeveria në një sistem si ky që kemi zgjedhur, nuk rrëzohet, largohet e detyruar nga pamundësia për të manaxhuar gjithcka. Kjo qeveri është një bandë kusarësh e matrapazësh që nuk kanë lidhje me qeverisjen. Saliu të vërë në dispozicion vullnetin për një zgjidhje të re e me ardhjen e një qeverie sido ta quajë ai. Rruga e forcës se ku të con, Saliu e ka provuar, por mesa duket nuk paska mësuar asgjë. E pa vetë se sa e hidhur është të shkosh në kundërshtim me vullnetin e popullit tënd. Jemi këtu për të cuar përpara vendin përmes një qeverie që qeveris me sensin e drejtësisë. Zgjedhjet e reja duhen përcaktuar si pika që përcakton të gjitha palët, të gjitha vullnetet”, deklaroi Rama.

Rama tha se me demonstratën popullore të ditës së nesërme, nuk përjashtohet pala tjetër nga gjetja e një zgjidhje dhe ftoi, që sipas tij, pala tjetër të futë politikën në proces, për arritjen e një zgjidhjeje.

Kryesocialisti Rama, vlerësoi se demonstrata e ditës së nesërme do të jetë paqësore dhe se i vetmi rrezik vjen nga keqpërdorimi i policisë prej disa individëve. Rama vlerësoi se nuk ka nevojë për masa të jashtëzakonshme sigurie nëse nuk ka infiltrime e provokime nga ana e qeverisë.

Top Channel