Prifti sërish në prokurori

19/01/2011 13:45

Pa mbushur javën në prokurorinë e Tiranës, ish-ministri Dritan Prifti thirret sërish nga prokurorët e njësisë së task forcë në lidhje me cështjen më të fundit, atë të videos-skandal mbi bisedën mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.

Ish-ministri Prifti, ashtu sikurse edhe të enjten e kaluar, ishte i shoqëruar nga shoferi i tij personal dhe dy truproja që janë nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët e ruajnë atë prej muajsh, pas apelit të ish-ministrit se i kërcënohet jeta.

Sipas prokurorëve, ai u thirr kësaj radhe në prokurori për të dhënë disa sqarime në lidhje me videon, pasi sikurse u shprehën burimet, kishin disa paqartësi. Prifti qendroi në zyrën e prokurorëve të cështjes-skandal për rreth 30 minuta.

Por ndërsa video së bashku me pajisjet e tjera me të cilat është realizuar përgjimi ndodhen në zyrën e prokurorëve të task forcë në cilësinë e provës materiale, pala amerikane ende nuk ka kthyer ende përgjigje nëse do të ndihmojë me asistencë mbi ekspertizën e pamjeve ku Meta urdhëron Priftin të zbatojë disa nga kërkesat e tij që nga anulim tenderash deri tek punësimi si inspektor i një të njohuri të ish-zv.kryeministrit.

Në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për ekspertë të huaj, burimet shpjegojnë sërish se në vendin tonë nuk ka kapacitete shtetërore që të verifikojnë videon.

Madje, në një rast të ngjashëm, kur para shumë muajash “Fiks Fare” transmetoi rastin e një prokurori në Kavajë që tashmë akuzohet për mitmarrje, ekspertiza e videos u bë në laboratore private, por që ende gjykata nuk ka marrë një vendim për të akuzuarin.

Top Channel