Vit i ri zakon i vjetër. Mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur konsensus mes tyre për miratimin e kalendarit tre javor të punimeve duke i dhënë udhë në këtë mënyrë një sesioni të ri parlamentar që premton të mos jetë aspak i thjeshtë.

Ngërci është krjijuar pikërisht nga përfshirja në kalendar e disa prej ligjeve që kërkojnë shumicën prej 3/5 në kuvend. Sipas socialistëve këto inisiativa të përfshira nga shumica janë thjesht arnime jo serioze, ndërkaq që sipas tyre konsensusi do të jepet vetëm për ligje transparente dhe të miratuara në bashkëpunim mes palëve.

Por në emër të mazhorancës Patozi është shprehur se ky qëndrim rikthen opozitën në pozicionet e saj të mëparshme arkaike, që sipas tij ndikuan edhe në mos marrjen e statusit kandidat.

Përvec këtij debati palët janë ndalur edhe në atë që pritet të jetë debati i muajve në vijim, përzgjedhja e presidentit të ri të republikës.

Në emër të PS Gramoz Ruci kërkoi një kandidaturë konsensuale gjithëpërfshirëse në emër të frymës që sipas tij kërkon edhe Kushtetuta.

“Partia Socialiste kërkon ndërtimin e një procesi ndërmjet të cilit të materializohet fryma e kushtetutës, që karakterizohet nga transparenca dhe nga gjithëpërfshirja si një provë e maturisë së klasës politike për fatin e konsolidimit të demokracisë dhe integrimit Europian të vendit, si një parakusht për vetë institucionin e Presidentit të Republikës, institucioneve të pavarura kushtetuese, gjyqësorit, dhe institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare, një garanci për konsolidimin e shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve”, tha Ruçi.

Por përgjigja e demokratëve ka qenë thuajse ironizuese duke u kërkuar socialistëve të mbajnë pozicionin e tyre të mëparshëm e të mos përpiqen të ushtrojnë presion shterpë mbi shumicën qeverisëse.

“PD nuk ka nevojë për një president të vetin, ia kemi dalë bukur deri me sot edhe duke e mbajtur në shpinë presidentin, por ndërkohë është jashtë çdo dyshimi se ne nuk duam të shikojmë në presdiencë një kundërshtar sepse është në kundërshtim me sitemin dhe Kushtetuën. Dhe PS nuk duhet të ketë të frikë nga një kandidat që vjen nga radhët e mazhorancës por duhet të jetë njësoj si ne e trembur nga përsëritja e kësaj historie të turpshme”, tha Patozi.

Fryma jo bashkëpunuese është konkretizuar në votimin e kalendarit i cili ka kaluar vetëm me votat e shumicës dhe ato kundër të opozitës.

 

Top Channel