Tregu i valutës, Kushtetuesja rrëzon BSH

14/01/2011 08:00

Një ndryshim ligjor që bëri Banka e Shqipërisë në vitin 2007 i dha të drejtë institucionit ta cilësonte tregtinë e valutës pa licencë si vepër penale.

Fjala ishte për kambistët që shesin dhe blejnë valutë në treg të hapur, ose siç quhet ndryshe “te dollari”.

Pas miratimit të ligjit të ri, me konsensusin edhe të qeverisë, vërshuan kontrollet dhe arrestimet në të gjithë vendin, ndërsa tregtarëve u sekuestrohej paraja si provë materiale.

Por Gjykata Kushtetuese, me një vendim të fundit, më 12 janar, e ka rrëzuar nenin 90 të ligjit “Për bankat”, që u jepte të drejtë autoriteteve të ndalonin tregtarët, duke e shfuqizuar.

Gjykata Kushtetuese e nisi çështjen pas ankesave të paraqitura nga gjykatat e shkallës së parë Tiranë, Durrës dhe Pogradec, të cilat po gjykonin të njëjtat procese mbi disa të pandehur.

Sipas Kushtetueses, gjykatat e këtyre rretheve pretendonin se neni 90 i ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, që parashikon si vepër penale “ushtrimin pa licencë të këmbimit valutor”, i bie ndesh parimit të ligjshmërisë, të sanksionuar nga neni 29 i Kushtetutës.

Sipas tyre, është detyrim kushtetues për ligjvënësin që dispozitat penale t’i parashikojë në Kodin Penal ose dhe në ligje të tjera, me kusht që të miratohen me një shumicë të cilësuar prej tri të pestave të deputetëve.

Top Channel