Kjo që do të vizitojmë tani, është burgu apo psikiatria më e veçantë në Shqipëri.

Një anije burg, brenda së cilës, anëtarët e ekuipazhit janë të dënuar të qëndrojnë të izoluar.

Ishte fillimi i vitit të shkuar kur kjo anije me flamur grek e me ekuipazh egjiptian, hodhi spirancën në Shqipëri. Që nga ajo kohë, anija Evangelizos ka mbetur e bllokuar në këtë port e për rrjedhojë 8 anëtarët e ekuipazhit përfshi kapitenin jetojnë aty, brenda kabinave, pa e vënë këmbën në breg, pa mundur të lëvizin, të zënë robër në burgun e tyre lundrues.

Shikimi i këtyre marinarëve teksa afrohemi reflekton një gëzim të çuditshëm, pasi dikush që interesohet për 8 shpirtra në mëshirë të fatit po kthehet në të paimagjinueshëm për të braktisurit e Evagelismos, dhe situata që na del përpara është në kufijtë e perceptimit të mendjes.

Ndoshta nuk ka asnjë detyrim ligjor por peshën e përgjegjësisë më shumë e ndjen kapiteni i kësaj anijeje, që në vend të detrave të kaltër, është i detyruar të qëndrojë peng i bllokuar brenda kalatave të portit.

“Si mund të ketë qenë jeta këto 11 muaj? Siç e shikoni, shumë shumë e keqe. Anija është e ndaluar, pronari nuk po na sjell asgjë. Na kanë sjell pak ujë, pak ushqime, pak karburant sa për të ndezur gjeneratorin 1 herë në ditë”, shprehet kapiteni i kësaj anijeje.

Arsyeja kryesore pse kjo anije ka qënë e bllokuar në port ka qenë një proces gjyqësor i cili këto ditë është zgjidhur duke e lënë të lirë anijen të lundrojë larg, por sikur të ishte kaq e lehtë.

“Ajo që na pezmaton më shumë është fakti që gjykata na ka lënë të lirë të ikim por pronari nuk po na dërgon mjete financiare për të lundruar, si mund të lundrojmë ne deri në Turqi pa karburant?!”, shton kapiteni.

Edhe pse të braktisur nga zotërinjtë e tyre, marinarët nuk e kanë humbur shpresën sepse jo të gjithë i kanë braktisur: “Autoriteti portual ka bërë më shumë se maksimumi për të na ndihmuar, por ka disa dokumenta të paplotësuara, edhe pse ekuipazhi është i gjithi me letra e kontrata të rregullta.”

Por, si kanë mbijetuar keta tetë burra me shenja serioze depresioni këto 11 muaj, që nga nevojat elementare të jetesës e deri tek familjet në Egjipt.

“Çdo javë komuniteti mysliman i Durrësit na ka sjellë ushqime. Sa për higjenën jemi larë me bidona 1 herë në javë apo një herë në 10 ditë. Dikush nga drejtoria e portit na ka sjellë karta rimbushëse sa për të folur me familjet që i kemi lënë në mëshirë të fatit”, thotë kapiteni.

Rrëfimet e pjesëtarëve të tjerë janë akoma më delikate. Kryeinxhinieri i anijes vendos të shfryhet: “Gjithmonë i njëjti problem me këtë pronarin tonë, gënjen, gënjen, gënjen. Jemi sëmurur të gjihë këtu, unë u bëra me diabet, një shok pësoi atak në zemër ndërsa kapiteni ka pësuar tre herë atak.”

Askush këtu nuk ka më se çfarë të bëjë, as kuzhinieri i cili nuk ka me se dhe çfarë të gatuajë.

“Ne jemi akoma gjallë prej mëshirës së njerëzve të xhamisë dhe portit, madje na ndihmuan edhe të festojmë Ramazanin. Por kur vjen nata këtu është tmerr, as minutat nuk shtyhen”, rrëfen kuzhinieri.

Në një situatë normale kjo anije për aq kohë sa ka e ankoruar nuk do të mund të lëvizte më kurrë, por tek porti i Durrësit kanë vendosur t’u vijnë në ndihmë me çdo mjet të mundshem dhe të pamundur.

Fati i tyre varet vetëm tek karburanti që pritet të mbërrijë, e teksa ne i lëmë, shpresa duket se qëndron në anije…dhe për pak kohë.

Top Channel