Babai i Meghan Markle në “arrest shtëpie” në SHBA, akuzohet për posedim të materialeve të abuzimit seksual me të mitur

07/11/2026 13:29

Babai i Meghan Markle, dukeshës së Sussex-it, është arrestuar në Florida, pasi akuzohet për posedim të materialeve që përmbajnë imazhe të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Thomas Markle, 82 vjeç, u arrestua pas një ankese penale federale, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë (DoJ). Ai përballet me një akuzë për posedim të imazheve të papërshtatshme të të miturve.

Pas një seance gjyqësore 30-minutëshe të zhvilluar të premten, gjykata vendosi që Markle të qëndrojë në “arrest shtëpie” në qendrën e asistuar ku po merr kujdes mjekësor, si dhe t’i nënshtrohet monitorimit elektronik. Gjatë seancës nuk u regjistrua asnjë deklarim i tij për pranimin apo mohimin e fajësisë.

Sipas partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, Markle u paraqit në gjykatë në një karrige me rrota, i shoqëruar nga dy marshallë amerikanë.

Në një deklaratë të përbashkët, Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Kaliforninë Qendrore bënë me dije se data e seancës së ardhshme gjyqësore në Kaliforni do të përcaktohet në vijim.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, arrestimi erdhi pas kontrolleve të kryera nga FBI-ja në disa ambiente magazinimi në Los Anxhelos, të regjistruara në emër të Markle. Ai i kishte marrë me qira këto ambiente që prej vitit 2008, ndërsa pagesa e fundit ishte kryer në tetor të këtij viti.

Gjatë kontrolleve, agjentët sekuestruan rreth 78 materiale, mes të cilave negativë filmash, diapozitiva dhe libra, të cilat dyshohet se përmbanin materiale me imazhe të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se autoritetet kishin vepruar me shpejtësi për arrestimin e Markle. Ai theksoi se FBI-ja do të përdorë të gjitha burimet në dispozicion për të mbrojtur fëmijët dhe për të ndjekur penalisht çdo person që dyshohet se kryen krime të tilla.

Sipas dokumenteve të hetimit, dëshmitarët kanë identifikuar pozitivisht Markle në dy prej imazheve që dyshohet se përmbajnë materiale abuzimi seksual ndaj të miturve. Në to, personi i fotografuar duket se është në moshën 30 deri në 40 vjeç, çka sugjeron se materialet e dyshuara mund të jenë disa dekada të vjetra. Markle i ka mohuar më herët akuzat për posedimin e këtyre materialeve, duke i cilësuar pretendimet si “gënjeshtra të neveritshme”.

Rasti është shtrirë edhe në Filipine, ku muajin e kaluar policia siguroi një urdhër për kontrollin e pajisjeve që dyshohet se ishin marrë nga banesa e mëparshme e Markle në këtë vend.

Katër kuti me materiale, përfshirë kompjuterë, telefona, disqe të jashtme dhe videokaseta të vjetra, iu dorëzuan autoriteteve nga Thomas Markle Jr., gjysmëvëllai i Meghan Markle.

Thomas Markle Sr. u zhvendos në Filipine vitin e kaluar, pas disa goditjeve në tru, dhe jetoi në Cebu deri në muajin maj. Më pas, sipas raportimeve, ai u transferua në një qendër rehabilitimi në Florida, ku po mësonte të ecte sërish pas amputimit të njërës këmbë.

Ndërkohë, në tetor, Policia Metropolitane e Londrës konfirmoi se kishte marrë në vitin 2019 një letër që përmbante disa pretendime lidhur me Thomas Markle.

Policia bëri me dije se informacioni, që lidhej me pretendime jashtë territorit britanik, i ishte përcjellë zyrës së dukës dhe dukeshës së Sussex-it, por nuk ishte ndarë me agjenci të tjera ligjzbatuese. Për mënyrën se si u trajtua kjo letër, policia ka kërkuar vetë një shqyrtim nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC).

Pas publikimit të akuzave në tetor, Meghan Markle deklaroi se ishte thellësisht e shqetësuar nga informacionet e bëra publike dhe se mendimet e saj ishin me të gjithë fëmijët që mund të jenë dëmtuar. Meghan është e distancuar nga babai i saj që prej vitit 2018. Sipas BBC-së, ajo i kishte ndërprerë kontaktet me të edhe më parë.

 

Top Channel